Politika Zbardhen emrat e ekipit të PD: Alfred Rushaj kreu i grupit parlamentar,...

Zbardhen emrat e ekipit të PD: Alfred Rushaj kreu i grupit parlamentar, dy gra propozohen për nënkryetare

Ditën e nesërme mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike. Për ekipin e tij të ri Lulzim Basha duket se ka zgjedhur më shumë gra për të drejtuar poste kyçe dhe sekretariate të rëndësishme të PD.

Për herë të parë, Partia Demokratike do të ketë dy gra nënkryetare: Jorida Tabaku, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë dhe Grida Duma, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me shoqërinë civile.

Ndërkohë ish-drejtori i fushatës tashmë deputet i Tiranës, juristi Alfred Rushaj, do të jetë nënkryetar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar, ndërsa drejtuesi politik i Qarkut të Fierit Enkelejd Alibeaj, do të jetë kandidatura e PD për nënkryetar të Kuvendit dhe njëkohësisht nënkryetar i PD.

Rikonfirmohet në detyrë Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi. Edi Paloka do të propozohet për Kryetar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Burimet brenda selisë blu bëjnë me dije se Edmond Spaho, ish-nënkryetari i PD ka kërkuar të mbajë vetëm detyrën e deputetit.

Deputetja e zgjedhur, shkrimtarja e botuesja Flutura Açka është nominuar për një postin e Kryetares së Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës.

Jemin Gjana, është nominuar si Kryetar i Komisionit Zgjedhor.

Për dy çështje parësore për Partinë Demokratike, ato të pronave dhe ish të përndjekurve, Lulzim Basha ka vendosur të ketë sekretariate të dedikuara, të cilat po kështu u janë besuar grave.

Për Sekretare për pronarët dhe çështjet e pronave, Basha ka nominuar Ledina Mandian. Ndërsa Jonila Godole, një prurje e re në Partinë Demokratike, do të jetë Sekretare për të Përndjekurit Politikë.

Ekonomia, klima e investimeve dhe marrëdhënia me biznesin mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike. Për të qenë sa më pranë biznesit dhe shqetësimeve të tij, Basha ka krijuar Sekretariatin për Klimën e Biznesit për të cilin është propozuar emri i Drejtuesit Politik të Qakut Kukës dhe sipërmarrësit Flamur Hoxha.

Oriela Nebiaj do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere. Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë nominuar dy zonja, Arta Sakja, me një kontribut të gjatë në Partinë Demokratike dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli.

Për postin e Sekretarit Organizativ, është propozuar z. Ervin Minarolli, ndërkohë që Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, emri i propozuar është Ivi Kaso.

Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë nominuar Taulant Zeneli dhe Endri Hasa.

Studiuesja dhe pedagogia Enriketa Papa – Pandelejmoni është emëruar nga kreu i PD për pozicionin e kryetares së Fondacionit për Liri dhe Demokraci.

Ndërkohë është zbardhur edhe ndarja e përgjegjësive ne Grupin e ri Parlamentar. Grupi që do të drejtohet nga nënkryetari i Partisë Alfred Rushaj do të ketë dy Nënkryetarë: Ervin Salianjin dhe Luçiano Boçin. Detyra e Zëdhënësit të Grupit i është besuar Orjola Pampurit, ndërkohë që ajo e Sekretarit të Grupit Parlamentar, deputetit të ri të Vlorës Arbi Agalliu.

Deputetët janë ndarë në 8 komisione ku drejtimi nga ana e PD i është besuar:

Komisioni për Integrimin Europian: Jorida Tabaku

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Agron Gjekmarkaj

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë: Albana Vokshi

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut: Oerd Bylykbashi

Komisioni për Ekonominë dhe Financat: Sorina Koti

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin: Helidon Bushati

Komisioni për Sigurinë Kombëtare: Flamur Noka

Komisioni për Politikën e Jashtme: Tomor Alizoti.