Policia italiane goditi të mërkurën një klan shqiptaro-italian që merrej me trafikimin e drogës. Në mesin e 13 të arrestuarve, ishte edhe këngëtarja shqiptare Elsa Lila. Roli i Lilës ishte menaxhimi i parave të grupit.
Nga përgjimet e zbardhura zbulohet roli i Elsa Lilës, e cila kishte vënë shtëpinë e saj në shërbim të organizatës, ku ata fshihnin paratë.
Në një moment të bisedës Elsa Lila duke folur me shtetasin tjetër shqiptar të identifikuar si Arind Boçi, i thotë këtij të fundit se i ka lënë një kopje të çelësit të shtëpisë, ndërsa e prezanton edhe me planin e rrugëve hyrëse dhe dalëse për në shtëpinë e saj, në mënyrë që veprimet e personave që hynin në banesë mos viheshin re.
Ndërkohë duke folur me kode, Lila tregon edhe vendin se ku ruhen paratë e ardhura nga krimi.
Në një bisedë të përgjuar më 22 korrik 2019 mes Elsa Lila e Arindi Boçi thuhet:
Elsa Lila: Kur të iki në gusht merr çelësat e shtëpisë time, në një dhomë do jetë Raina, në tjetrën ti. Shih e bë… unë po të lë një palë çelësa… mbyllu aty, ndrysho vend.
Arind Boçi: Po më vë në siklet..
Elsa Lila: Kuptove o jo? Po të lë një kopje çelësash.
Elsa Lila: E di dhe ku është rrugica, tek mermeristi, parko makinën aty… është vend yll… ke dhe rrugëdalje e mund të ikësh pa problem…
Po në të njëjtën bisedë të përgjuar këngëtarja shqiptare rekomandonte Arindo Boçi, të kishte kujdes “kutinë e Babagjyshit të Krishtlindjeve”, një gjuhë e kriptuar për kutinë ku ruhej arka e libri i llogarive të grupit.
Elsa Lila: Mos harro kutinë e Babagjyshit të Krishtlindjeve është atje poshtë
Arindo Boçi: Po, po
Elsa Lila: Është tek ajo mobilja që di ti, aty prapa…. aty është ajo e babagjyshit….e aty brenda është ajo që di ti, ajo që t’i ke lënë…e mos harro.
Arindo Boçi: Jo e dashur jo, është gjithçka qetë, e kemi pastruar shtëpinë s’kemi gjë ilegale….
Elsa Lila: Unë nuk kam frikë nga shteti (nga forcat e rendit) kam frikë nga hajdutët… mua nuk më vjen askush nga shteti të më kontrollojë, unë tek shteti shkoj çdo ditë..
Elsa Lila shpjegon se ka marrëdhënie të mira me forcat e rendit e se gjatë një kontrolli që i kanë bërë në krevatin e saj, ja kishin falur se i mungonin disa dokumente. Dhe pse i kishin vënë gjobë i kishin thënë të mos e paguante.
Elsa Lila këshillonte kreun e grupit të trafikantëve të gjente një mik brenda aparatit shtetëror, duke komentuar se si në Itali dhe në Shqipëri ka njerëz të korruptueshëm që mund të jenë të vlefshëm në situata të vështira të mikut.
Elsa Lila: I dashur duhet të gjesh një mik brenda aparatit shtetëror… kjo është zgjidhja si ta gjesh një mik të tillë…një mik, grep në shtet shërben si në Shqipëri, ti e di… është një e mirë sepse të shpëton kushdoqoftë në qeveri, duhet të kesh një dhe aty.. në aparatin shtetëror, duhet gjetur mënyrë se dhe këtu ka njerëz të korruptuar.
Arindo Boçi: Eh shumë.
Elsa Lila: Prandaj por të them se nuk duhet të jetosh me këtë terror,… se këtu kanë jetuar njerëz që nuk dua t’i them emrin… ata me M…
Arindo Boçi: Mos na kanë vënë ndonjë Big Brother këtu?
Elsa Lila: Bëj një kontroll ka instrumente për këtë punë, që i gjejnë… si këto që ke ti…
Rolet
Organizator i këtij grupi ishte shqiptari Arindi Boçi, i cili njihej pseudonimin Rindi, që së bashku me shqiptarin Glend Burhanaj organizonte transportin e tregtimin e sasive të drogës. “Rindi”, sipas hetuesve italianë bashkëpunonte me personazhe të krimit të organizuar roman të botës së narkotrafikut e në lidhje me familjen e mafiozit Michele Senese. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Romës, Elsa Lila akuzohet për pjesëmarrje në një grup kriminal me aktivitet në trafikun e drogës, magazinimin e tregtimin e drogës.
“Elsa Lila në cilësinë e pjesëmarrëses në këtë grup kriminal, ndiqte direktivat e grupit e përdorej si rojtare e këshilluese e të ardhurave të aktivitetit ilegal, si dhe të librit të kontabilitetit të grupit. Ajo ofronte strehim Arindi Boçi, kreut të këtij grupi trafikantësh, në fazën përfundimtare të hetimeve për t’i shpëtuar kontrollit policor”.
Në dosje shkruhet se “Elsa Lila, ishte pjesëmarrëse e aktivitetit kriminal të këtij grupi që trafikonte lëndë narkotike, dhe pse me rol minimal, faktikisht nuk merrte pjesë në operacionet e transportit, trafikimit e tregtimit, magazinimit të drogës”, por shfaqej si ruajtëse e arkës e kontabilitetit të grupit kriminal e besuar nga kreu i saj, Arindi Boçi. Hetuesit italianë nënvizojnë se “Elsa Lila shfaqej me djallëzi dinake kur këshillon Arindi Boçi të korruptojq forcat e rendit për të evituar kontrollet ndaj grupit e aktivitetit të tij kriminal e dëshmojnë përkatësinë e saj më këtë ambient kriminal, objekt dhe i kësaj dosje hetimore”.
Petrit Bardhi i njohur me pseudonimin Titi, ishte element kryesor. Ky i fundit i siguronte grupit të drejtuar nga Arindi Boçi, sasinë e drogës për ta trafikuar, falë lidhjeve me element të spikatur të kriminalitetit roman.
Shtatë të arrestuarit shqiptarë janë:
Petrit Bardhi i thirrur me nofkën TITI, 48 vjeç
Arindi Boçi i thirrur me pseudonimin Rindi, 36 vjeç
Glend Burhanaj i thirrur me pseudonimin Qorri 33 vjeç
Elsa Lila, 41 vjeç
Gjino Lleshaj, 40 vjeç
Leonard Vacaj 49 vjeç.
Françesk Ndreja, i thirrur me nofkën Çesku, 29 vjeç