Aktualitet Zbardhet aksidenti i Lezhës/ Kërcënuan me armë 23-vjeçarin, pas arratisjes u përplasën...

Zbardhet aksidenti i Lezhës/ Kërcënuan me armë 23-vjeçarin, pas arratisjes u përplasën me makinë

Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 24 Marsit në aksin rrugor Tiranë-Lezhë në Ishull Lezhë e raportuar zyrtarisht si aksident, është zbardhur nga policia dhe është zbuluar se para përplasjes së mjeteve, ka patur një kanosje me armë zjarri.

Sipas policisë, 3 personat që ndodheshin në makinën e përfshirë në aksident, A. F. K. Gj. dhe D. D. (këta dy të fundit të shpallur në kërkim), kishin kërcënuar me armë një 23-vjeçar me iniciale E. L. Banues në Tale. Kërcënimi ishte bërë poshtë mbikalimit të Ishull Lezhës.

Gjatë largimit me shpejtësi, automjeti me të cilin udhëtonin shtetasit A. F., K. Gj. dhe D. D., është përplasur në mbikalimin e Ishull Lezhës, me automjetin me drejtues shtetasin M. K.

Nga veprimet e para, ky rast është trajtuar fillimisht si aksident rrugor, por si rezultat i informacioneve të grumbulluara në vendngjarje, janë thelluar hetimet dhe si rezultat i tyre, është zbardhur dinamika e këtij rasti.

Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin A. F., 20 vjeç, banues në Lezhë, si dhe shpallën në kërkim shtetasit K. Gj., 24 vjeç, banues në Rrilë dhe D. D., 23 vjeç, banues në Barbullojë.

Gjithashtu, për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi E. L., 23 vjeç, banues në Tale, i cili nuk ka kallëzuar se është kanosur me armë zjarri, nga 3 personat e lartpërmendur.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të përfshirë në këtë rast.