Policia e Tiranës ka zbardhur plagosjen e 3 Shtatorit 2024 në ‘Don Bosko’ në Tiranë. Siç thuhet në njoftimin zyrtar të policisë, është shpallur në kërkim një prej autorëve.
Ndaj Denis Tahirit është caktuar nga gjykata masa e “arrestit me burg”, pas konfirmimit me prova.
“Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, analizimit, vlerësimit të rrethanave dhe fakteve, dhe provave shkresore, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit Denis Tahiri, 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, thotë policia.
Kujtojmë se të plagosur rreth dy muaj më parë mbetën Kastriot Elezaj 45 vjeç dhe Renaldo Metushi 22 vjeç. Ata u qëlluan me armë zjarri teksa ndodheshin në lokal.
Sipas dëshmive, autorët zbritën nga automjeti tip “Golf 5” dhe qëlluan me armë me silenciator. Më pas makinën e dogjën në zonën e Institutit.