Kongresi elektoral i socialistëve do të mbahet të shtunën, por përgatitjet për të kanë nisur që paraditen e kësaj të premteje.
I konceptuar për t’u zhvilluar si i ndarë në tre sesione ai do të mbahet ne 3 ambiente të ndryshme.
Në Pallatin e Kongrese do të bëhet çelja e Kongresit nga sekretari i përgjithshëm, Taulant Balla dhe do të zhvillohet sesioni i Bashkëqeverisjes me njerëzit ku do të flasin disa nga ministrat dhe zëvendëskryeministri, ministri i Jashtëm në detyrë dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin do të kenë fjalime për ecurinë e reformave për çeljen e negociatave.
Sesioni i dytë që do të fokusohet tek “Bashkia që Duam” do të nisë në Pallatin e Kongreseve dhe do të përfundojë në sheshin Nënë Tereza ku do të çelet fushata për zgjedhjet për kryeqytetin ku do të konfirmohet Erjon Veliaj dhe do të bëhet publike lista me 100 kandidatët për Këshillat Bashkiak.
Edi Rama do të flasë vetëm në këtë takim ku janë thirrur të marrin pjesë dhe kryeqytetasit me një format të ngjashëm me atë që u pa për herë të parë në Vlorë në 16 shkurt, ndërsa do të ketë fjalim tjetër drejtuar delegatëve të Kongresit.
Edhe pse nuk kanë vendosur ende për kandidatët që do të garojnë në 61 bashki, emrat e disa prej tyre janë bërë publik tashmë dhe 6 prej tyre do ti drejtohen me fjalë dhe delegatëve në Pallatin Kongreseve.
Veç Armando Subashit në Fier, Sotiraq Filos në Korçë, Dritan Lelit në Vlorë e Majlinda Bufit në Roskovec që rikonfirmohen si kandidatura në Kongres do të flasin dhe deputeti Pjerin Ndreu që pritet të jetë kandidati i socialistëve për bashkinë e Lezhës dhe prefekti i Elbasanit Gledian Llatja që do të propozohet nga selia rozë si kandidaturë për të zënë vendin e Qazim Sejdit me 3 mandate si kryebashkiak.
Duket se për Vangjush Dakon edhe ky me 3 mandate Edi Rama nuk ka ende një vendim përfundimtar për një rikandidim.
Sesioni i fundit i ndarë në 3 panele do të mbyllet me një takim për Reformën Zgjedhore ku do të flitet dhe për votën e emigrantëve e që do të mbahet në një hotel të njohur të kryeqytetit, shkruan Tv Klan.