“Politico” ka zbardhur një nga bisedat më të tensionuara në samitin e Berlinit, ku presidenti francez Macron ka këmbëngulur disa herë që Kosova të heqë taksën prej 100 % ndaj Serbisë. Por kryeministri i Kosovës nuk është dorëzuar, as përballë premtimit për liberalizimin e vizave.
Presioni i presidentit francez Emanuel Macron ndaj kryeministrit të Kosovës Haradinaj për heqjen e taksës ka qenë i madh, po kreu i ekzekutivit kosovar nuk është dorëzuar, dhe ka kërkuar më parë njohjen e pavarësisë nga Serbia. Ky është një nga detajet që del në dritë pas zbardhjes së bisedës mes kancelares gjermane Merkel, presidentit Francez Makron dhe kryeministrit t ë Kosovës Haradinaj.
Pas shumë deklaratave që pasuan Samitin e Berlinit, “Politico” ka marrë përsipër të hedhë dritë mbi prapaskenat e kësaj mbledhjeje.
Në një artikull të fundit ka shkruar për një përplasje mes Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Duke cituar burime nga brenda takimit, “Politico” shkruan se lideri francez e kishte humbur toruan, pasi ishte përpjekur për orë me radhë për të zbutur tensionin ekzistent mes Kosovës dhe Serbisë.
Macron kërkoi vazhdimisht një lëshim nga Haradinaj, për çështjen e taksës, por u përball me përgjigje negative të këtij të fundit. Duke ngritur zërin, Presidenti i Francës më pas i ka thënë Hardinajt se nuk është në pozita për të kërkuar asgjë në termat e proceseve integruese.
Pas kësaj debati është zhvendosur në një nga ballkonet e kancelarisë gjermane, ku gjatë diskutimeve informale Merkel dhe Macron e morën Haradinajn më vete duke i kërkuar shfuqizimin e taksës 100 % dhe duke i premtuar nga ana tjetër rrugën e udhëtimit pa viza në Europë.
Gjithsesi edhe në këtë përpjekje, Haradinaj nuk ka pranuar të dorëzohet duke thënë se kërkon më parë njohjen nga Serbia.
“Politico” arsyeton se kjo qëndresë e kryeministrit mund të shfrytëzohet nga ai për më shumë popullaritet në politikën e brendshme.