Aktualitet Zbardhet denoncimi i familjarëve për Ervis Martinajn

Zbardhet denoncimi i familjarëve për Ervis Martinajn

Deklarata e Faik Martinajt, xhaxhait të Ervisit i cili është një nga të shumëkërkuarit e policisë dhe Strukturës së Posaçme (SPAK) është zbardhur.

Ai pretendon se nuk ka asnjë kontakt me vetë nipin e tij, por vetëm me anë të personave të afërm.

Faik Martinaj thotë se janë të shqetësuar për zhdukjen e Ervisit, për vetë mënyrën e papritur sesi ai humbi gjurmët.

Deklarata: “Kam gjeneralitetet e lartpërmendura dhe banoj në adresën e mësipërme. Në lidhje me nipin tim, djalin e vëllait, Ervis Martinaj i cili është i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar, dje në darkë rreth orës 22:00, jemi njoftuar nga një i afërmi jonë që për arsye sigurie nuk dua t’ia përmend emrin, i cili nuk ndodhet në Shqipëri, por është në Dubai. Na ka vënë në dijeni se Ervisi ishte zhdukur dhe nuk kishte kontakte me të.

Dua të theksoj se që prej kohës që nipi është shpallur në kërkim nuk kam pasur asnjë kontakt me të, të drejtpërdrejt apo në telefon, por vetëm nëpërmjet personave të afërm. Ne si familje kemi dyshime se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka për vetë mënyrën si u zhduk”.

Ervis Martinaj është një personazh i njohur i botës së krimit, i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, siç ishte masakra e Bllokut në shkurt të vitit 2018.

Më herët, ai është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për fshehje të ardhurash dhe organizim të lojërave të fatit. Kjo çështje ndodhet në Gjykatën e Apelit dhe nuk ka ende një vendim të formës së prerë.

Martinaj është shpallur në kërkim nga SPAK pas dëshmisë së Nuredin Dumanit pasi akuzohet se ka ofruar deri në 500 mije euro për ekzekutimin e Endrit Dokles.