Aktualitet Zbardhet dëshmia e Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në GJKKO: Mallkuar qoftë...

Zbardhet dëshmia e Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në GJKKO: Mallkuar qoftë kush punon në këtë vend!

Zbardhen dëshmitë e dhëna sot në GJKKO të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

Ajola Xoxa ka kërkuar ndryshimin e masës në “detyrim paraqitje”, ndërsa garanci pasurore është kërkuar për Erion Veliajn.

Ndërkohë Ajola Xoxa ka kërkuar ndryshim mase, teksa ka deklaruar: “kujdesem për fëmijën, nuk kam askënd kush të na ndihmojë dhe më jepni një masë më të butë”.

Prokurori Altin Dumani replikoi: “Ne kemi kërkuar arrest shtëpie pikërisht për shkak të fëmijës dhe kemi pasur parasysh parimin e humanizmit”.

Fjala e Veliajt në Gjykatë:

“Mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë”, kështu mësohet të jetë shprehur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në seancën gjyqësore.

Më tej, ai ka thënë se i ka hyrë në hak familjes duke shtuar se ka punuar edhe për festa dhe të shtunave e të dielave.

Erion Veliaj: Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë jam kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës kam bërë detyrën time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diele edhe për festa kam punuar. Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot.

Veliaj ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga organi i akuzës duke thënë se edhe sot nuk ka marrë shpjegim se pse është arrestuar. Ai po ashtu ka mbrojtur bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, për të cilën ka thënë se sipas tij, “është ndjekur në mënyrë perverse”.

Erion Veliaj: Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës tim dhe se bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime dhe nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes. Bashkëshortja ime është kryezonjë dhe është përndjekur në mënyrë perverse.

(Në këtë moment ka ndërhyrë prokurori qe i ka kërkuar të ruajë etikën në komunikim)

Erion Veliaj-prokurorit: Pse të dogji, nuk përmenda emra dhe me këtë fjali kam parasysh median e politikën.

Prokurori: Sepse i ke shkruar në Facebook, këtu nuk je në Facebook, ndaj përmbahu provave dhe fakteve. Të gjitha veshjet kishin kod unik dhe ishin veshje personale buzëkuq dhe bizhuteri.