Pas arrestimit të Alda Klosit është zbardhur edhe dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi në polici. Ajo ka rrëfyer se ngjarjen e inskenoi për të bërë përgjegjës burrin e Alda Klosit ndërsa paratë i kishte thënë t’i merrte vetë kjo e fundit.
“Nuk ishte në banesë kur mora lekët, e inskenova vendin e ngjarjes pasi Alda më tha vetë merri paratë sepse kohët e fundit kishte probleme me burrin dhe donte ta bënte përgjegjës. Në banesë vinin para gjithë kohës”, mësohet të jetë shprehur ajo.
E ndaluara për grabitjen e rreth 500 mije Eurove tha se ditën e ngjarjes pronarja e shtëpisë nuk ndodhej aty ndërsa ka treguar se e kishte porositur t’i merrte në kasafortë.
Nga ana tjetër, Alda Klosi ka mohuar që të jetë bashkëpunëtore. Ndërkohë policia ka dyshime për të dyja dëshmitë. Ndaj Klosit rëndojnë tre akuza fshehje pasurie, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë.
Ajo u ndalua një natë më parë pas dëshmisë së gjatë në polici të ish-pastrueses së saj Rozeta Dobi, e cila akuzohet për grabitjen e më shumë se 500 mijë eurove, një pjesë e të cilave, 120 mijë Euro u denoncuan nga vetë Alda Klosi si të grabitura në banesën e saj nga Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi.
Më herët Rozeta Dobi kishte dëshmuar se vjedhjen e ka kryer në shenjë hakmarrje ndaj Alda Klosit pasi e urrente për mënyrën si ajo e trajtonte.