Emiliano Shullazi, Lul Berisha dhe pesë persona të tjerë janë fundosur nga dëshmitari i penduar Luftar Reçi. I penduar ka marrë një dënim të gjatë në burg dhe që me sa duket ka vendosur të flasë, pasi disa herë kanë dashur ti bëjnë atentat aty ku po kryen dënimin. Është pikërisht ky i penduar që ka folur për SPAK dhe i cili ka lidhur së bashku dy vrasjet, atë të Klodian Spahiut më 26 shkurt 2005 dhe një ditë më pas vrasjen e Vajdin Lamaj, të cilit i shpërtheu ashensori i pallatit të tij.
Indrit Taullau u arrestua dy ditë më parë në Prizren të Kosovës, për ngjarjen në fjalë. Po ashtu, për të njëjtën ngjarje u arrestua edhe Viktor Ymeri. Ndërkohë, është caktuar masa “arrest me burg” për Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në ambientet e paraburgimit.
“Personi dëshmitar kyç, është një i dënuar me 25 vite burg, Luftar Reçi. Ai është dënuar me 25 vjet burg (prej 11 vitesh po e kryen atë) për vrasjen e Maks Lalës në vitin 2009 në urën e Shkopetit. Luftar Reçi dhe Taulant Elezi e kishin mik Maks Lalën. I është thënë që do çojmë një ngarkesë me armë. E kanë vrarë fillimisht në makinën e tij, e ka lënë atje, është kthyer në Tiranë, ka marr bidona me benzinë është kthyer prapë në vendin e ngjarjes dhe ka djegur kufomën e Maks Lalës”, deklaroi Artan Hoxha mbrëmë në emisionin “Opinion”
Çfarë ka treguar i penduari
Ai ka treguar se si Lulzim Berisha i kërkoi të vriste Klodian Saliun. Po ashtu ai ka rrëfyer se si Lul Berisha dhe Indrit Taullain bënë planin për hedhjen në erë të biznesmenit Vajdin Lamaj.
Ai ka dëshmuar se takimi mes tyre kish ndodhur në kazinonë e tij në Tiranë, dhe Lul Berisha i kishte ofruar vrasjen e hasmit të tij si pjesë të “paktit” mes tyre. “Lulzim Berisha më kërkoi që unë të vrisja Klodian Saliun”, ka dëshmuar ai.
“Në fillim të shkurtit 2005 kam takuar në Tiranë Lul Berishën. Takimi u realizua ne vendin e quajtur Stacioni i Trenit në Tiranë, vend ku unë kisha një kazino timen. Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Saliu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim. Ata më thanë se Klodian Saliu e kishte kundërshtuar dhe kishin frike se mos i vriste”, ka thënë Luftëtar Reçi.
Vrasja e Klodjan Saliut
Luftar Reçi, një nga të dyshuarit së bashku me Lulzim Berishën, Plarent Dervishajn dhe Indrit Taullain, për vrasjen e Kleidi (Klodjan) Saliut, ka treguar për këtë krim.
Sipas tij, “Luli, sapo u sigurua që do të bëhej vrasja, iku në Turqi me qëllim që të mos dyshohej”.
Sa i përket ditës së vrasjes, Reçi kujton: “Unë kisha një pistoletë “Beret”, me 15 fishekë. Lenti kishte automatik “Scorpions”, kurse Indriti një pistoletë me 15 fishekë e kromuar që ishte e Lulit… Unë isha shofer, Indriti ishte ulur në vendin e parë të pasagjerit, kurse Lenti në sediljen e pasme. Pasi kaloi Benzi i Klodit, u nisëm në ndjekje të tij. E arritëm shpejt, por nuk e parakalonim dot për shkak të makinave të tjera. Dikur mes Vorës dhe Durrësit i jemi afruar dhe jemi vendosur paralel me automjetin që drejtonte Klodi dhe nga dritarja e BMW-së kanë qëlluar me armë në drejtim të Klodit, Indriti me pistoletë dhe Lenti me Scorpions”.
Ekzekutimi i Vajdin Lamajt
Luftar Reçi ka dëshmuar edhe lidhur me ekzekutimin e Vajdin Lamajt. Sipas Reçit, në shkurt të vitit 2005 Lul Berisha kishte bërë planin me Indrit Taullain dhe të dy bashkë do të hidhnin në erë Vajdin Lamajn në ashensorin e banesës së tij.
“Kam pasur lidhje shoqërore ne Lul Berishën, Indrit Taullain, Lentin (Plarent Dervishi). Kujtoj se ka qenë muaji shkurti vitit 2005, besoj nga mesi i muajit, më ka telefonuar nga numri i tij celular shtetasi Lulzim Berisha.
Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijët“, mësohet se ka dëshmuar Reçi.
Reçi shprehet se minën e mori Indrit Taulllai dhe më pas dëgjoi se ishte vrarë Vajdin Lamaj. Në lidhje me këtë, Reçi shprehet se kishte telefonuar Lulzim Berishën, por ai i kishte thënë se për ngjarjen ka dijeni Indrit Taullai.
Reçi deklaron po ashtu se gjatë bisedave në tavolinë, Indrit Taullai është krenuar me vrasjen e Vajdin Lamajt duke thënë se “pordhën e madhe e kishin bërë copë-copë…“.
Reçi gjithashtu tregon se përmes një të njohuri i kishte siguruar lëndën plasëse grupit të Lul Berishës dhe një natë kishin shkuar sëbashku me ta në garazhin e shtëpisë së tij për të përgatitur tritolin që do të përdorej për një vrasje. Në dëshminë e tij, Reçi thotë se nuk e dinte për kë bëhej fjalë.
Kur kishte pyetur se çfarë vrasje do të bëhej, Reçi tregon se grupi i Lul Berishën i ishin shprehur se bomba do të vendosej në një makinë tip “Volkswagen”, e cila do të shpërthehej në momentin që do të ishte pranë një makine tjetër.
Ndryshim plani
Por, ndërkohë që po përgatitej mina, Reçi tregon se Indrit Taullain e telefonoi dikush. Në moment, tregon ai, Taullai u kthye duke thënë se plani kishte ndryshuar dhe se për shpërthimin do të përdorej lëndë plasëse C4.
“Pas 15-20 minutash, Indriti u kthye në garazh me një kuti ku shkruhej Crnegoru dhe e pashë që ishte tritol C4“, shprehet Reçi.
“Ti ke detyrë vetëm ta montosh në mënyrë që të jetë funksionale, gati për të shpërthyer“, tregon Reçi se i kanë thënë grupi i Lul Berishës.
Bomba u mor nga Emiljano Shullazi
Në dëshmi, Reçi tregon se minën me telekomandë që u përgatit në një garazh e mori në dorë Emiljano Shullazi, i cili ishte bashkë me një vajzë. Sipas tij, Shullazi ishte brenda një makine me ngjyrë të errët, bashkë me një vajzë kur mori bombën.
Përfshirja e Viktor Ymerit
Luftar Reçi tregon edhe mënyrën se si është përfshirë në këtë ngjarje Viktor Ymeri, ose Tori, siç e thërrisnin shkurt ata.
Reçi tregon po ashtu edhe për një episod, sipas të cilit Viktor Ymeri ishte mburrur në burg se “grupi i Emiljano Shullazit hapeshin kot me makina dhe femra të bukura dhe se nuk ishin për këtë punë, por vetëm për të vendosur gjoba, pasi personin që i vuri bombën Vajdin Lamajt e kishte gjetur ai nga qelia“.
Vrasje me klering
I penduari i drejtësisë shpjegon edhe momentin se si është vënë në kontakt me grupin e Lulzim Berishës.
Pse vendosi të flasë Reçi
Sipas Hoxhës ka qenë frika se mund ta eleminonnin në burg që e ka bërë të penduarin të flasë. “Ai dëshmonte se janë paguar 200 mijë euro për të bërë një vrasje brenda në burg dhe që ai ishte transferuar disa herë. Nga pas i vinte edhe ekzekutuesi. Në momentin që ai e kuptoi, atëherë ky reagoi, u tremb dhe kërkoi të fliste me prokurorinë”.
Pse tani?
Me sa duket askush nuk ka dashur ti prekë këto patate të nxehta para ngritjes së SPAK.
“Policia e Shtetit në atë kohë, drejtori i Krimeve kishte shkuar disa herë, kishte marrë deklarimet dhe nuk kishte zhvillime pas. Kjo është hera e parë që mbi dëshminë e tij u ngrit një akuzë. Dy herë ka shkuar me helikopter drejtori i krimeve për t’i marr dëshminë”, u shpreh Artan Hoxha duke lënë të kuptohet se ngjarja dihej me kohë, por vetëm tani është vendosur të bëhet zbardhja e saj.