Qitësi që vrau me një plumb në zemër Kastriot Reçin dy ditë më parë ka patur të gjithë kohën e nevojshme për përgatitjen e vrasjes duke u futur qetësisht në ambientet e pallatit 9-katësh, të kryente porosinë dhe të largohet sërish pa rënë në sy.
Abc News zbardh ekskluzivisht dosjen hetimore të vrasjes së Kastriot Reçit, ku duket se prokuroria ka siguruar të paktën dinamikën e ngjarjes.
Siç shkruhet në dosjen hetimore, personi i dyshuar si qitësi që vrau Kastriot Reçin ka hyrë në pallatin 9 katësh në orën 06:35 minuta.
Kamerat kane fiksuar momentin kur personi në fjalë ka zbritur nga një makinë tip “Mercedes Benz” ngjyre gri. Pasi ndalon, ai ka hapur derën e djathtë të pasme të makinës dhe ka nxjerrë dy çanta.
Njëra është çantë e thjesht, kurse tjetrën prokuroria e cilëson si “çantë për mbajtjen e armëve të gjata”.
Kamerat e kanë fiksuar personin mashkull të veshur me një xhup të hapur me tegela horizontale. Pasi ka lënë personin në fjalë pranë hyrjes së pallatit, makina është larguar në drejtim të rrugës së tregut.
Pak minuta më pas ai futet në banesën nga ku edhe qëlloi duke bërë gati armën, në pritje të objektivit. Nga ky moment deri pak minuta pas orës 12:00 të mesditës, qitësi ka pritur në banesë duke vëzhguar lëvizjet para lokalit të Kastriot Reçit.
Gjatë kësaj periudhe ka pirë ujë dhe ka ngrënë disa kikirikë, të cilat më pas i ka lënë aty dhe janë sekuestruar nga prokuroria.
Kur Reçi mbërriti në rrezen e armës, qitësi ka marrë shenjë dhe me një të shtënë ka kryer porosinë duke e lënë objektivin të vdekur.
Ora shënon 12:07 minuta dhe kamerat e sigurisë kanë fiksuar të dalë nga hyrja e pallatit një person të gjatë, me flokët e gjata bisht që largohet me shpejtësi nga zona, sërish në drejtim të tregut.
Sipas përshkrimit të prokurorisë, personi ka të veshur një fustan të zi dhe poshtë tij ka të veshura tuta me viza të errëta poshtë fustanit.
Pas këqyrjes së rrugës nga ku mendohej se mund të ketë kaluar autori, policia ka gjetur një paruke, një kanotiere dhe një palë këpucë që mendohet se i përkasin qitësit.
Prokuroria ka marrë 8 monstra nga shtëpia prej të cilës mendohet se u qëllua Kastriot Reçi. Të gjitha ato po verifikohen nëse mund të nxjerrin ndonjë provë që të çojë në zbulimin e autorit.
Kastriot Reçi u ekzekutua dy ditë më parë në qendër të Rrëshenit teksa doli nga makina për të shkuar në biznesin e tij. Para se të futej aty, ai takon një zonjë me fëmijën e saj. Në këtë moment, qitësi qëlloi duke e lënë të vdekur në vend.
Një ndër pistat e hetimit për këtë krim është ajo e hakmarrjes. /Burimi: abcnews.al