Emisioni në “Shënjestër” në News 24 solli detaje për vrasjen e biznesmenit vlonjat, Bledar Birçaj në një atentat të mirëorganizuar në 10 maj 2021 në qytetin e Vlorës. Ai u qëllua me breshëri plumbash, teksa udhëtonte me makinë nga persona ende të paidentifikuar. Viktima thuhet se jetonte më të shumtën e kohës së tij, në Spanjë. Ky fakt konfirmohet edhe nga e dashura e tij, e cila pohon se Birçaj, jetonte gjatë në gadishullin Iberik, por pa dhënë detaje, se cila ishte puna e tij në këtë vend, apo cilët ishin personat me të cilët ai shoqërohej.
“Unë jam e lidhur prej disa kohësh me Bledarin. Më duhet të them se ai jetonte kryesisht në Spanjë. Unë nuk kam ndonjë informacion për lidhjet apo për problemet e tij, ashtu sikundër nuk kam dijeni në lidhje me atentatin dhe kush mund ta ketë kryer”, tha e dashura e tij.
Sipas asaj që transmetoi emisioni ‘Në shënjestër’, dyshimet më të forta, janë se Birçaj ka grabitur një sasi të madhe droge, të cilën një grup kundërshtar po e sillte nga Amerika e Jugut. Kjo sipas emisionit është edhe një nga pistat në të cilat policia po heton policia edhe sot në lidhje me vrasjen e 38-vjeçarit. Nën hetim është vënë edhe lidhja e tij me efektivin antidrogës, Granit Deromemaj. Ky i fundit tha se nuk kishte asnjë dijeni se çfarë aktiviteti kishte miku i tij jashtë vendit.
“Unë siç ju thashë e njoh që në fëmijëri, viktimën Bledar Birçaj. Unë mund t’ju them se nuk kam asnjë informacion për problemet që viktima kishte jashtë vendit, dhe po kështu dua të them se nuk i kam ofruar asnjë ndihmë në këtë aktivitet”, është shprehur Granit Deromemaj.
Sipas të njëjtave burime, grupi hetues kërkoi informacion edhe nga operatorët e kompanive telefonike në Shqipëri, për të parë se cilët ishin numrat e loguar në koordinatat e lëvizjes së makinës së viktimës dhe të autorëve, ku u kaluan në sitë antenat telefonike që mbulojnë 14 koordinata që lidhen me itinerarin e lëvizjeve të dy makinave të përfshira në atentat. U analizuan 1982 thirrje, apo mesazhe telefonike, por në asnjë rast sipas grupi hetues, nuk pati shkaqe të besueshme, që të ndihmonin në identifikimin e autorëve të ngjarjes.
“Në funksion të hetimeve të këtij procedimi u është kërkuar disa kompanive telefonike celulare të dhëna mbi fluksin e thirrjeve hyrëse-dalëse, Sms, Mms, Gprs, si dhe Imei-in të numrave që janë loguar në antenat që mbulojnë 14 koordinata dhe i është bërë shkresë Sektorit të mbledhjes dhe përpunimit të informacionit në Drejtorinë Hetimore Qendrore për analizimin e këtyre të dhënave. Me procesverbalin e këqyrjes së të dhënave nga ky sektor jemi njoftuar se numra të njëjtë që janë loguar në koordinata të ndryshme janë 1982 në 15 koordinata të ndryshme”, – thuhet në dosjen hetimore.
Paralelisht hetuesit kërkuan gjurmë krahasimi edhe midis armëve të regjistruara në sistemin e tyre dhe armës që u përdor në krim, por edhe ky kërkim duket se rezultoi i kotë. Kjo pasi autorët mendohet se qëlluan me një armë e cila nuk ishte përdorur në krimet e mëparshme, çka mund ta ndihmonte grupin hetues në shkuarjen më shpejt drejt identifikimit të tyre.
“Në lidhje me këtë ngjarje janë përpiluar të gjitha vendimet e ekspertimeve ku nga përgjigjet e ardhura deri më tani konkludohet se; Predha e sekuestruar gjatë kqyrjes së kufomës është pjesërisht e dëmtuar, ajo iu përket fishekëve luftarak model 56, kalibër 7.62 dhe për shkak të dëmtimit kjo predhë mund të krahasohet vetëm me armën e zjarrit konkrete e cila e ka qitur dhe jo e vlefshme për krahasim masiv”, thuhet në dosjen hetimore.
29 gëzhojat e sekuestruara gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga krahasimi në sistemin arsenal nuk rezultuan të regjistruara në këtë sistem, por për t’iu kthyer profilit të Bledar Birçaj dhe lidhjeve të tij me krimin, punët në biznesin e trafikut të drogës nuk ishin të vetme çështje të hapura që ai mund të kishte me ata që tashmë e ndiqnin për ta vrarë.
Birçaj që thuhet se kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanja, nuk ishte një emër i panjohur të paktën për policinë shqiptare. Në mars të vitit 2011 ai u arrestua në qytetin e Vlorës, si i dyshuar për vrasjen ndaj shtetasit Artur Tahiraj, ku u mbajt në arrest për 45 ditë.
Në muajin prill Gjykata e Vlorës, e zëvendësoi masën ndaj tij nga ‘arrest në burg’ në masën ‘detyrim paraqitje në policinë gjyqësore’ dhe ‘ndalim të daljes jashtë shtetit’ deri në përfundim të hetimeve. Në muajin korrik, po të vitit 2011, Prokuroria e Vlorës vendosi pushimin e hetimit në ngarkim të Bledar Birçaj duke e lënë atë të lirë, çështje për të cilën thuhet se ai mori edhe dëmshpërblim.
Para se kësaj ngjarje, në vitin 2010, Birçaj dhe vëllai i tij ishin proceduar penalisht pasi kishin dhunuar juristin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në qytetin e Vlorës, personin me inicialet F.H., ku prokuroria në atë kohë nisi procedim penal në gjendje të lirë për dy të rinjtë.
Vetëm 10 ditë pas vrasjes së Birçajt, Vlora u trondit nga një tjetër krim, edhe ky i lidhur me luftën e egër që kishte shpërthyer në qytet midis grupeve rivale, që nuk po kursenin asnjë metodë për eliminimin e atyre që ata i konsideronin kundërshtarë.
Viktima e radhës do të ishte Delon Troqe, i cili ashtu si edhe Bledar Birçaj, sapo ishte kthyer nga Spanja. Ai u qëllua mbrëmjen e datës 21 maj, me 15 plumba automatiku, në derën e servisit të tij, prapa pallatit të lojërave me dorë, ‘Flamurtari’, në orën 21.50 në lagjen ‘Pavarësia’ në qytet. Delon Troqe ishte i afërm me një tjetër viktimë të luftës së bandave në qytet, ai ishte kushëri me Elvis Troqen, i cili u rrëmbye ditën për diell në mes të qytetit të Vlorës, më 17 korrik 2018.
Ditën kur ai kishte vendosur t’i prezantonte nënës së tij që kishte ditëlindjen, vajzën me të cilën do të lidhte jetën, ai u rrëmbye në rrugë nga persona të panjohur, për të humbur gjurmët edhe sot. Sipas policisë, rrëmbimi dhe zhdukja e Ervis Troqes, mendohet se u krye për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Të njëjtat pazare të prishura që çuan kohë pas kohe edhe në eleminime të tjera në këtë qytet, vetëm një muaj para se Elvis Troqe të rrëmbehej dhe të zhdukej pa gjurmë, një tjetër rrëmbim i ngjashëm u krye në qytet. Albano Xhaferri kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Belgjika.
A i rrëmbye forcërisht me të dalë nga banesa e tij, mëngjesin e datës 17 qershor 2018 dhe u fut në një makinë, ku thuhet se u vra i qëlluar me një çekiç pas koke. Vrasja e tij u dëshmua nga një prej personave që morën pjesën në rrëmbimin e tij, nga një i penduar i cili rrëfeu për grupin hetues të gjithë skenën e krimit, autorët dhe shkakun pse ishte kryer ky rrëmbim.
Sipas tij, Albano Xhaferri u rrëmbye për prishje të pazareve të drogës dhe vrasja e tij u porosit nga Edison Harizaj apo ndryshe i njohur në Vlorës si Edison ‘Faqedjeguri’, një nga një personazhet më të fuqishëm të krimit në Vlorë. I lidhur me bandat edhe në qytetin e Durrësit, i cili u ekzekutua edhe vetë më 7 nëntor 2018 në qytetin e Durrësit, ndërsa po kthehej në mbrëmje nga Tirana në drejtim të Vlorës.
Po për t’iu kthyer edhe njëherë vrasjes së Bledar Birçaj dhe atyre që pasuan ekzekutimin e tij, gjithçka thuhet se lidhet pikërisht me luftën për pushtetin e drogës. Luftë e cila në harkun kohor të pak viteve prodhoi në Vlorë shumë të vrarë por edhe të rrëmbyer, ku sipas statistikave vetëm në vitet 2015-2020 në këtë qytet u rrëmbyen 16 persona si edhe u kryen 34 atentate të bujshme, pa numëruar hedhjen në erë të makinave, apo djegiet e tyre. Betejë e cila duket sikur për momentin ka ulur armët, por që pikërisht atëherë kur mendon se lufta i ka lënë vend paqes, ajo bëhet edhe më e ndezur. /Marrë nga BalkanWeb