Politika Zbardhet draft-opinioni i Venecias për “antishpifjen”: I pazbatueshëm, pengon fjalën e lirë

Zbardhet draft-opinioni i Venecias për “antishpifjen”: I pazbatueshëm, pengon fjalën e lirë

Komisioni i Venecias ka publikuar draft-opinionin për paketën antishpifje, paketë kjo e cila ka shkaktuar debate të forta në Shqipëri.

Komisioni i ka sugjeruar qeverisë shqiptare që të rishikojë atë, duke thënë se ligji është i pazbatueshëm. Siç thekson draft-opinioni i Venecias, ligji për antishpifjen mund të shoqërohet me efekte frenuese, të cilat sipas saj mund të pengojnë fjalën e lirë në Shqipëri.

Më tej, Komisioni i Venecias thekson se ky ligj i jep Autoritetit të Medias Audiovizive fuqi të mëdha administrative për median “online”, dhe për këtë fakt, kërkohet të rishikohet formula e përzgjedhjes së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave.

“Përbërja e AMA-s dhe Komiteti i Ankesave, i cili zgjidhet nga AMA në bazë të rregullave të hartuara nga AMA, mund të krijojë shqetësime të ligjshme për pavarësinë e këtyre dy organeve. Prania e përfaqësuesve të komunitetit të medias dhe shoqërisë civile që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me forcat kryesore politike, mund të jetë një hap që forcon pavarësinë e këtij organi”, sqaron Venecia.

Së dyti, Komisioni i Venecias vëren se “është e paqartë nëse anëtarët e AMA-s dhe të Komitetit të Ankesave janë mjaftueshëm të pavarur nga industria e madhe e mediave, në bazë të rregullave për papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit”.

Në listën e argumenteve që publikon për këtë çështje, Komisioni i Venecias hedh kritika të forta edhe për gjobat që parashikohen kundrejt mediave “online”, në rast të shkeljes së ligjit. Gjobat sipas ligjit që ka propozuar qeveria shqiptare variojnë nga 100-800 mijë lekë.

“Jashtëzakonisht problematike për lirinë e mediave në kontekstin shqiptar është natyra e ashpër dhe me efekte të mëdha negative e gjobave. Gjobat jashtëzakonisht të larta paraqesin një kërcënim me efekt pothuajse aq të ftohtë sa burgimi, megjithëse më shumë tinëzarë”, mund të shihet një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media. Komisioni i Venecias nuk mbështet gjithashtu parashikimet ligjore të cilat nuk garantojnë pezullim të gjobave ndaj mediave “online” në rast ankimimi në gjykatë”, thuhet më tej.

Komisioni i Venecias, bën me dije se sanksionet apo penalitetet e rënda ndaj mediave nuk duhet të ekzekutohen menjëherë, por shton se gjykatat duhet të kenë tagrin kontrollues për të garantuar një gjykim të drejtë.

Në përfundim të arsyetimeve të listuar në draftin për antishpifjen, Komisioni i Venecias shprehet se “inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin ngritja e një organi vetë-rregullues që funksionon në mënyrë efektive që përfshin të gjithë aktorët përkatës në fushën e mediave dhe të afta për të siguruar një sistem efektiv dhe të respektuar të mediave përgjegjshmëria në fushën e mediave online. Do të jetë gjithashtu e dobishme për të rishikuar metodën e zgjedhjes së AMA dhe anëtarët e KQ, për të siguruar që këto organe të kenë një pluralist përbërje që përbëhen nga individë të kualifikuar”, thekson draft opinion.