Erigers Mihasi është vrarë me 13 plumba, një prej të cilëve e ka kapur në qafë dhe pjesa tjetër në shpinë, ndërsa miku i tij 26-vjeçar Armand Dumani ka marrë 4 plumba. Kjo është e dhëna paraprake që mësohet nga ekspertiza mjeko-ligjore për atentatin me dy viktima të së shtunës në kryeqytet.
Në drejtim të dy të rinjve është qëlluar me breshëri kallashnikovi, teksa burimet thanë se brenda në mjet u gjetën 7 gëzhoja e shumë të tjera u mblodhën në vendin e ngjarjes.
Hetuesit nuk kanë në dorë të dhëna konkrete për autorët e dyshuar të ngjarjes, por duke u nisur nga mënyra e ekzekutimit besojnë se çdo gjë ka qenë e përgatitur dhe ekzekutuesit të jenë paguar.
Dyshohet për përplasje mes bandave
Përplasja mes bandave kriminale në kryeqytet dyshohet të jetë motivi i vrasjes së Erigers Mihasit dhe mikut të tij, Armand Dumani mbrëmjen e së shtunës.
Pavarësisht këtyre dyshimeve, ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët e vrasjes mafioze që mendohet se janë tre. Sekuestrimi i dhjetëra kamerave të sigurisë në disa zona të kryeqytetit dhe analizimi i tyre deri në këtë fazë nuk ka arritur t’i japë hetuesve identikitin e ndonjërit prej autorëve. Ka dyshime që viktimat janë mbajtur në vëzhgim nga atentatorët dhe se ndjekja ka nisur në zonën e ‘Pallatit me Shigjeta’, teksa ‘Audi’ i Erigers Mihasit ishte nisur drejt zonës së ‘Astirit’.
Në itinerarin e rindërtuar të lëvizjes së autorëve, mjeti tip ‘Toyota’ që rezultoi i vjedhur në Greqi, ndjek nga pas makinën ku udhëtonin viktimat deri në zonën e njohur si ‘2 Rrathët’, aty ku atentatorët lëshojnë breshërinë e plumbave. Më pas makina tip ‘Toyota’ vijon rrugën drejt ish-rrethrrotullimit të sheshit ‘Shqiponja’ e më pas në autostradën Tiranë-Durrës.
Policia ka shkuar për kontroll në banesën e Elvis Gaçajt, person me precedentë, i përfshirë në një seri ngjarjesh kriminale. Gaçaj njihet dhe si njohje e afërt me ‘Klanin Duka’, grup ky që akuzohet se ka vrarë Santiago Malkon, mikun e ngushtë të Erigers Mihasit (viktimë e ngjarjes së të shtunës).
Gaçaj nuk është gjetur në banesë, ndërsa gruaja e tij ka thënë se herën e fundit të shtunën janë takuar në drekë bashkë me vajzën e tij. Më tej ajo shton se pas drekës, në orët e pasdites ka dalë dhe është larguar për peshkim.
Nisur nga mënyra e ekzekutimit dhe skema e përdorur për të zhdukur çdo gjurmë, hetuesit kanë dyshime se autorët e eliminimit fizik të dy të rinjve janë vrasës me pagesë.