Një i penduar ka zbardhur vrasjen e Eglantina Bucit, e ndodhur në vitin 2012 nga babai dhe vëllai i saj. I penduari është shok i dikurshëm i Shkëlzen Bucit. Ai është arrestuar në vitin 2017 për një vepër tjetër penale, ku tha se kishte dijeni për vrasjen e ndodhur në vitin 2012, vrasje të cilën e lidhte me Shkëlzen Bucin.
I penduari ka treguar se ai vetë ka transportuar Shkëlzen Bucin dhe motrën e tij me makinë dhe rrugës ka mësuar se Buci debatonte me të motrën për shkak të një lidhjeje të saj me një djalë, sikurse raporton gazetarja Klodiana Lala për News 24.
Në këtë moment mbi bazën e kësaj dëshmie, prokuroria iu drejtua për ndihmë autoriteteve të Kosovës, të cilëve iu kërkuan identifikimin e kufomës. Eshtrat u çuan në një laborator në Kosovë, ku rezultoi që viktima ishte Eglentina Buci.
Rezulton se identifikimi i vajzës është bërë përmes krahasimit të ADN-së me nënën. Faik Buci ishte i ndarë nga e shoqja dhe për të mos rënë në gjurmët e hetimit, krahasimi është bërë me ADN-në e nënës.
Ndërsa është firmosur arresti me burg për Faik Bucin, ai mohon përfshirjen në ngjarje. Por i penduari i drejtësisë tregon se edhe më herët ka patur një tentativë të vrasjes së vajzës nga ana e babait, por ai dështoi dhe më pas në lojë hyri i vëllai.
Ndërkohë Shkëlzen Buci është aktualisht në burg, i dënuar me 13 vite për tentativën e vrasjes ndaj aktorit Mishel Prela, alias Mishel Manoku.
Në vitin 2012, Eglantina Buci u vra nga babai dhe i vëllai i saj. Pasi e qëlloi me armë zjarri, Shkëlzen Buci i ndihmuar nga babai i tij Faik Buci e çuan trupin në Malin me Gropa, duke e lënë aty të braktisur pasi e kishin mbuluar me gurë. Një pjesë e turpit të dekompozuar u gjet në vitin 2012, pasi ishte zbuluar nga kafshët.
Disa gjahtarë njoftuan policinë për skeletin që ishte pikasur nga qentë e tyre të gjahut. Ngjarja nuk arriti të zbardhej, sepse kufoma nuk mund të identifikohej.
Ndërkohë, për zhdukjen pa gjurmë të vajzës, në policinë e Tiranës në atë periudhë ka depozituar kallëzim penal nëna e saj, Lirije Buci, e cila i tha policisë se prej disa muajsh vajza ishte larguar nga banesa dhe nuk kishte asnjë kontakt me të. Në atë periudhë, u morën deklarime nga Faik Buci dhe Shkëlzen Buci, por babë e bir kanë hedhur dyshime të forta se vajza mund të ishte trafikuar si prostitutë në Itali.