Policia ka arritur të zbardhë një vrasje të ndodhur para 8 vitesh në kryeqytet ku viktimë mbeti një 23-vjeçare.
Sipas policisë, shtetasit Faik dhe Shkëlqim Buci, babë e bir, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë më armë zjarri pistoletë shtetasen Eglantina Buci dhe më pas e kanë groposur kufomën, në Malin me Gropa, Tiranë.
Motivi i vrasjes së kryer nga babi dhe vëllai i saj, sipas policisë, është pasi viktima është larguar nga banesa për të bashkëjetuar me një shtetas tjetër, pa dëshirën e personave të lartpërmendur.
Policia vuri në pranga njërin prej autorëve, ndërsa autorit tjetër shtetasit Shkëlqim Buci iu komunikua masa e sigurisë në ambientet e IEVP-së ku vuan dënimin, pasi është arrestuar më parë po nga Sektori Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për një ngjarje tjetër, për “Vrasje me paramendim” të ngelur në tentativë, të ndodhur në Tiranë, në vitin 2017. Ky shtetas aktualisht është duke vuajtur dënimin me 13 vite burgim.