Aktualitet Zbardhet letërporosia e Italisë për lëvizjet e familjes së Tahirit me “Habilajt”

Zbardhet letërporosia e Italisë për lëvizjet e familjes së Tahirit me “Habilajt”

Ministria e Drejtësisë ka përkthyer letërporosinë e mbërritur pak javë më parë nga Italia, ku autoritetet shqiptare kërkonin të dhëna për udhëtimin që familjarë të Saimir Tahirit kanë bërë me Moisi Habilajn.

Letërporosia e përkthyer në shqip tashmë i është vënë në dispozicion dy prokurorëve të çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençit.

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije për Vizion Plus, se në letërporosinë e ardhur nga autoritetet italiane, nuk faktohet asnjë dyshim se familjarë të ish-ministrit të Brendshëm të kenë qenë së bashku me Moisi Habilajn.

Tashmë prokurorët janë në pritje vetëm të një letërporosie nga Mali i Zi, ku janë kërkuar të dhëna po për të njëjtin udhëtim.

Një javë më parë prokuroria e krimeve të rënda vendosi të shtyjë hetimet për Tahirin, ndërsa këtë te hënë ish-ministri i Brendshëm ankimoi këtë vendim, duke kërkuar që dosja të shkojë në gjykatë.

Sajmir Tahiri është nën hetim që prej një viti. Ai dyshohet se i ka krijuar lehtësira grupit të Habilajve për të bërë trafikun e drogës drejt Italisë, duke përfituar shuma të mëdha parash.