Bota Zbardhet misteri i rrëzimit të avionit në Kazakistan, hetimet: U godit nga...

Zbardhet misteri i rrëzimit të avionit në Kazakistan, hetimet: U godit nga pjesët e një rakete ruse

Të mërkurën, 38 pasagjerë humbën jetën kur Fluturimi 8432 i Azerbajxhan Airlines u rrëzua teksa përpiqej të bënte një ulje emergjente pranë qytetit Aktau në Kazakistan.

Burimet e qeverisë së Azerbajxhanit kanë konfirmuar ekskluzivisht për Euronews-in në Lyon se shkaku i rrëzimit të avionit ishte një raketë ruse tokë-ajër, e cila goditi avionin gjatë një aktiviteti ajror me dron mbi Grozny, në Çeçeni.

Sipas burimeve për Euronews, raketa shpërtheu pranë avionit dhe copëzat e saj goditën pasagjerët dhe ekuipazhin e kabinës.

Goditja ndodhi gjatë fluturimit mbi Detin Kaspik, ndërsa avioni, i cili ishte dëmtuar rëndë, nuk iu lejua të ulej në asnjë aeroport rus, pavarësisht kërkesave të pilotëve për një ulje emergjente. Si rezultat, avioni u detyrua të fluturonte mbi det drejt qytetit Aktau në Kazakistan.

Sipas të dhënave të tjera, sistemet e navigimit GPS të avionit u bllokuan gjatë fluturimit mbi Detin Kaspik, duke përkeqësuar situatën.

Avioni i kompanisë Azerbaijan Airlines kishte 67 persona në bord. Autoritetet kanë thënë se 38 persona kanë vdekur dhe 29 i kanë mbijetuar përplasjes.

Në avionin e rrëzuar ishin 42 shtetas të Azerbajxhanit, 16 të Rusisë, gjashtë të Kazakistanit dhe tre të Kirgizisë.

Zëvendëskryeministri kazak, Qanat Bozymbaev – i cili është përgjegjës për komisionin e posaçëm qeveritar për hetimin e incidentit – tha se shumica e viktimave nuk kanë mundur të identifikohen menjëherë, pasi kanë pësuar djegie të rënda.

Sa i përket të lënduarve, ai tha se disa kanë lëndime të moderuara, por ka edhe persona në gjendje të rënduar shëndetësore që kanë pësuar djegie të mëdha.

Ndërkaq, sa u përket të shpëtuarve, nëntë janë rusë, të cilët janë dërguar në Moskë me një avion nga Ministria ruse e Emergjencave më 26 dhjetor.

Kompania Azerbaijan Airlines ka pezulluar të gjitha fluturimet nga Bakuja drejt Çeçenisë derisa të kryhen hetimet për tragjedinë.