Në të shkuarën e tij kishte precendentë droge, e me shumë mundësi, në bazë të gjitha të dhënave të mbledhura deri më tani nga hetuesit, kur u zhduk ishte ende pjesë e botës së krimit.
Bëhet fjalë për shqiptarin Astrit Lamaj, i cili sipas asaj që shkruajnë këtë të enjte mediat italiane, u vra për çështje që lidheshin me shpërndarjen e drogës.
Trupi i 47-vjeçarit shqiptar, i cili jetonte në Genova, u gjet mëngjesin e 15 Janarit në murin e “Villa degli occhi”, në Senago të Milanos.
Kockat e tij kishin dalë jashtë gjatë punës për rikonstruksionit e kësaj vile.
Karabinierët, falë mjekut ligjor, përcaktuan menjëherë që trupi i përkiste një burri të moshës 35-45 vjeç. Vrasja e tij, gjithnjë sipas hetimeve të deritanishme, ka ndodhur të paktën 5 vjet më parë.
Zhdukja e 47-vjeçarit në Genova u denoncua në Janar të 2013-s. Ai besohet se është vrarë pikërisht në atë kohë, megjithatë mbetet e paqartë nga kush dhe sesi përfundoi në murin e vilës së Senago.
Vrasja, për karabinierët dhe prokurorinë e Milanos, është kryer nga bota e krimit që drejton trafikun e lëndëve narkotike mes Genovas dhe Milanos.
Mediat italiane, duke cituar burime nga grupi hetimor, thonë se vrasësi mund të identifikohet shumë shpejt.
Astrit Lamaj ishte nga fshati Trevëllazër i Vlorës. Pas gjetjes së trupit të tij, për mediat shqiptare familjarët treguan se ai ishte larguar drejt Italisë për shkaqe ekonomike.
Ai kishte humbur kontaktet me familjen 5 vjet më parë.