Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme në Vorë, ku një oficer i Forcave të Armatosura përdori armën e shërbimit për të neutralizuar një 34-vjeçar, i cili tentoi të vrasë me thikë vëllanë e tij.
Uniformat blu bëjnë me dije se është vënë në pranga Ergest Hoxha, i cili ka goditur me thikë në krah 24-vjeçarin Kiq Muzhaqi.
Po ashtu është arrestuar, oficeri i ushtrisë Ermal Muzhaqi, i cili ndodhej në automjet me vëllain e tij të plagosur dhe ka ndërhyrë duke qëlluar me armë Hoxhën.
Policia sqaron se dy të plagosurit mbeten nën kujdesin e mjekëve në spital, ndërsa Prokuroria po heton për të zbuluar arsyet që shtyn 34-vjeçarin që të tentonte t’i merrte jetën vëllait të ushtarakut.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, në Vorë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës ndaluan shtetasit:
– E. M., 27 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të dy banues në Vorë.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë ngjarje dyshohet se ditën e djeshme, rreth orës 12:20, në Vorë, shtetasi E. H. i është afruar automjetit me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjerë shtetasit K. M. dhe B. A., dhe për motive ende të paqarta, ka tentuar që të vrasë me thikë shtetasin K. M. Në këtë moment ka ndërhyrë drejtuesi i automjetit, shtetasi E. M. (oficer ushtrie), i cili ka plagosur me armën e shërbimit, shtetasin E. H.
Shtetasit K. M. dhe E. H. ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës thikë, të përdorura në këtë ngjarje, si dhe aparatet celulare të shtetasve të përfshirë.