Pas betimit të deputetëve, zgjedhjes së kryetares së Kuvendit dhe dekretimit të Edi Ramës si Kryeministër nga Presidenti Ilir Meta është radha që fituesi i zgjedhjeve të 25 Prillit të marrë besimin e Parlamentit.
Të enjten, në orën 10:00 do të nisë seanca parlamentare që do të miratojë kabinetin e ri qeveritar dhe programin e saj politik, të cilin do ta lexojë Rama në foltoren e Kuvendit.
“Rama 3” do të fokusohet tek rimëkëmbja, mirëqenia, modernizimi, familja dhe forcimi i Shqipërisë në drejtësi, por edhe në integrimin europian.
Në të thuhet se programi është konceptuar si një plan i kujdesshëm dhe i detajuar reformash dhe aksionesh, që synon të materializojë në çdo qelizë të qeverisjes vizionin “Shqipëria 2030”.
Do të jenë 5 objektiva në mënyrën si synon qeveria që të ndërtojë hap pas hapi të ardhmen eurpiane duke u mbështetur tek këto pika kryesore që u përmendën më lart.
Pesë shtyllat e programit të qeverisë “Rama 3”:
1- Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia;
2- Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë.
3- Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve;
4- Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen;
5- Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo shqiptar dhe me dinjitet në botë.