Kryesore Zbardhet raporti i KE: Shqipëria ka bërë progres, problem mbetet Gjykata Kushtetuese

Zbardhet raporti i KE: Shqipëria ka bërë progres, problem mbetet Gjykata Kushtetuese

Zbardhet raporti i Komisionit Evropian, i cili do të bëhet publik më vonë gjatë ditës, ku Shqipëria vlerësohet se ka shënuar progres të mirë në reformat kyçe. Në progres raportin e fundit, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria është gati për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ndërsa shihet si problematike mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Ligji i Medias e klima politike.

Në pikën e cila i referohet reformës zgjedhore theksohet se marrëveshja e arritur në 5 qershor bëri të mundur ndryshimin e kodit pas diskutimeve ne Këshillin Politik, por pa arritur një kompromis para se Parlamenti t’i votonte në 5 Tetor.

“Pavarësisht nga rezultati pozitiv i marrëveshjes së arritur në 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, veçanërisht për reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj”, thuhet në raport. Lidhur me reformën gjithpërfshirëse në drejtësi, raporti thekson se ka përparim të qëndrueshëm.

“Të gjitha institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit janë plotësisht funksionale dhe funksionojnë në mënyrë efektive. Gjykata e Lartë filloi kryerjen e funksioneve të saj”. Ndërsa për Gjykatën Kushtetuese, raporti vlerëson se është bërë përparim i rëndësishëm edhe në funksionimin e kësaj gjykate. Dokumenti përmend edhe strukturën special kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e cila është krijuar plotësisht.

“Shqipëria, thekson raporti, ka forcuar luftën kundër korrupsionit duke konsoliduar koordinimin operacional dhe kapacitetet monitoruese”, “ndërsa numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot, dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara.”

Korrupsioni

Shqipëria ka një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Progres i mirë është bërë në periudhën raportuese. Autoritetet shqiptare forcuan kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kështu kushtin për KPGJ-në e parë.. Ndërsa numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot, dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara.

Megjithatë, në përgjithësi, korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një shqetësim serioz.

Krimi i organizuar

Shqipëria ka një nivel mesatar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë përparim të mirë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me Shtetet Anëtare të BE dhe përmes planit të veprimit për të adresuar rekomandimet.

Si në vitet e kaluara, Shqipëria tregoi gjithashtu në 2019 një angazhim të fortë, të vazhdueshëm për të kundërshtuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Përpjekjet duhet të vazhdojnë, për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimet përfundimtare, si dhe luftimin e pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që vijnë nga krime dhe pasuri të tjera të pajustifikuara.

Pronat

Nevojitet progres i shpejtë për avancimin e procesit të regjistrimit të pronave. Shqetësimet janë ngritur nga qytetarët që i përkasin pakicës greke në lidhje me të drejtat e pronës në rajonin bregdetar jugor.

Media

Sa i përket lirisë së shprehjes, vendi është mesatarisht i përgatitur. Në dhjetor 2019, Parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias. Ndryshimet nuk janë në standardet dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës dhe vetëcensurës, dhe rreth pengesave të mundshme të lirisë së shprehjes në vend. Përfaqësuesit nga shumica qeverisëse u angazhuan publikisht për të ndjekur udhëzimet e opinionit të Komisionit të Venecias. Projektligji për mediat aktualisht po rishikohet.