Kryesore Zbardhet shkresa: Ilir Meta pjesë e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit

Zbardhet shkresa: Ilir Meta pjesë e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit

Ilir Meta është politikani i lartë që rezulton pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit sipas Autoritetit të Dosjeve.

Kjo figuron në materialin që i është dërguar Kuvendit nga Autoriteti i Dosjeve.

“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidentit i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konformuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-sigurimit të shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Meta, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funksional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin”, thuhet në dokumentin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.

Një ditë më parë, ky institucion i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë materialet për Metën.

Në letrën dërguar Kuvendit, autoriteti kërkon gjithashtu që të korrigjohet ligji për të verifikuar edhe këta funksionarë që kanë dalë të pastër në komisionet e mëparshme.

Një ditë më parë, ish-zëdhënësi i Metës, tani bashkëpunëtor në Partinë e Lirisë, Tedi Blushi, reagoi duke i lënë Autoritetit barrën e provës, si dhe ironizoi faktin se Autoriteti e publikoi njoftimin dhe ftesën për ndryshime ligjore një ditë pasi Meta u rikthye në politikë.