Policia greke ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur më 16 Qershor 2017 në Athinë, ku u vra një 56-vjeçar belg. Autor i krimit është një shqiptar 32-vjeçar dhe dy bashkëpunëtorë të tij të cilët janë në kërkim.
Shqiptari u arrestua dy ditë më parë në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë pranë Kakavijes. Emri i tij nuk është bërë i ditur, por sipas mediave greke është pjesë e grupeve mafioze shqiptare të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nëpër Evropë.
Në Qershor 2017, në lagjen “Neos Kosmos” të kryeqytetit grek, u gjet i shtrirë në rrugë 56-vjeçari belg. Ai u vu re nga kalimtarët të cilët njoftuan më pas policinë. Viktima ishte qëlluar në kokë me armë zjarri dhe kishte humbur jetën menjëherë. Nga hetimet, policia ka zbuluar se shkak i ngjarjes ka qenë larja e hesapeve të trafikut të drogës. Mediat greke shkruajnë se 56-vjeçari belg ka qenë tregtar droge i njohur për aktivitetin e tij kriminal. Ai ishte i lidhur me një kartel në Amerikën Latine. Në të paktën 3 shtete në Evropë, belgu ka qenë person në kërkim.
Policia ka zbardhur të gjithë dinamikën e krimit. Nga hetimet rezulton se shqiptari kishte futur në kurth 56-vjeçarin belg. Përpara se ta ekzekutonte, ai kishte rrëmbyer partnerin e belgut, duke i bërë presion këtij të fundit që t’i kthente borxhin që i kishte marrë. Dy palët fillimisht kishin rënë dakord për një shpërblim në mënyrë që shqiptari të linte të lirë shokun e 56-vjeçarit.
Kjo skemë u zbulua nga telefoni i viktimës që u gjet në vendngjarje. Hetuesit analizuan bisedat telefonike dhe mesazhet që ai kishte dërguar. Nga verifikimet u identifikua një bisedë e 56-vjeçarit belg me 32-vjeçarin shqiptar, të cilët flisnin në gjuhën angleze.
“Duhet të takohemi sa më shpejt. Duhet të flas me Tonin. Duhet të lëmë takim”, shkruante 56-vjeçari në SMS-në që i kishte dërguar shqiptarit duke u përpjekur që ky i fundit të lironte mikun e tij.
“Mirë, shko tani në rrugën 14 Fanosthenous në lagjen Neos Kosmos”, iu kundërpërgjigj shqiptari. “Ok, po nisem tani”, ishte mesazhi i fundit dërguar nga ana e belgut.
Ky i fundit nuk e dinte që po shkonte drejt një kurthi vdekje. Shqiptari shkoi në pikën e takimit me dy bashkëpunëtorë të tij, me pseudonimet Vini dhe Toni, të cilët janë në kërkim. Pasi mbërritën, belgu dhe shqiptari shtrenguan duart, kurse prapa krahëve të 56-vjeçarit u shfaqën dy burrat e tjerë, të cilët e qëlluan me armë në kokë.
Hetuesit grekë zbuluan se prapa kësaj ngjarje fshihet një organizatë kriminale me shtrirje në Belgjikë, Zvicër dhe Spanjë, të cilët trafikojnë kokainë me çmim të lartë nga Amerika Latine drejt Europës.