“E keqja e ka një emër”, kështu janë emërtuar fletushkat që Partia Demokratike ka nisur të shpërndajë në gjithë Tiranën për të thirrur qytetarët që të marrin pjesë në protestën e 7 tetorit në kryeqytet.
Demokratët premtojnë se tubimi këtë herë do të jetë ndryshe nga të mëparshmit.
Fillimisht qytetarët që do të vijnë nga gjithë Shqipëria do të mblidhen në qendër të Tiranës përballë Kryeministrisë dhe më pas do të shpërndahen në lokacione të ndryshme të kryeqytetit.
Do të jenë të paktën 5 nyje kyçe të Tiranës, ku protestuesit do të tentojnë që t’i bllokojnë.
Protesta pritet që të nisë prej orës 18:00, dhe edhe pse nuk ka një orar të përcaktuar, planifikohet të zgjasë së paku 3 orë.
Për një protestë të tillë, edhe masat e policisë do të jenë të shumta me rreth 1 mijë efektivë që do të angazhohen në terren, duke nisur nga Policia e Rendit, FNSH dhe RENEA, shtuar këtyre edhe efektivë civilë që do të jenë në çdo vatër proteste.
Ndërsa kryedemokrati Sali Berisha iu ka bërë thirrje sot të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e protestës së opozitës të hënën e 7 tetorit në orën 18:00.
“Skenarin e saktë të protestës do e merrni vesh ditën e hënë në orën 18:00. Është konceptuar si një protestë në të cilën qytetarët i tregojnë regjimit që janë zotër të këtij vendi. Ditën e hënë, fjalën e kanë qytetarët, ata janë zotët e Tiranës. Qytetarët do shprehin revoltën e tyre më të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Mjerë ai që provokon qytetarët dhe zemërimin e tyre. Ky është mesazhi im për çdo provokator”, theksoi Berisha.