Gjykata e Lartë ka zbardhur këtë të martë vendimin për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, e cila në shtator vendosi rigjykimin e çështjes së tij në Apelin e Gjykatës së Posaçme.
Gjykata e Lartë argumenton se ka shkelje proceduriale gjatë gjykimit të Tahirit dhe Jaeld Çelës.
Sipas kësaj gjykate, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhirajt në një procedim të lidhur.
“Gjykata gaboi pasi nuk i dha mundësinë Tahirit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndonëse sipas ligjit mund të bëjë rikualifikim ndryshe të veprës penale, por duke i dhënë mundësinë të pandehurit të paraqesë argumentat e tij”, lexohet në dokument.
Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë edhe një herë për gjykim në Apel çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia.
Gjatë dëgjimit të pretendimit të palëve në seancë, SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit, që nga ana e tij kishte vendosur për kthim të çështjes në gjykim në Shkallë të Parë.
Rekurs për çështjen ka bërë edhe prokuroria, e cila i qëndron kërkesës për dënimin e Tahirit me 12 vite burg për “trafik narkotikësh” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Sipas prokurorisë, Tahiri dhe i bashkëpandehuri i tij Jaeld Cela kanë garantuar grupin e “Habilajve” në trafikun e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria në Itali.
“Do të ndjekim procedurën dhe do të shkojmë sërish në Gjykatën e Apelit”, tha Tahiri pasi doli nga gjykata.