Aktualitet Zbardhet vendimi i plotë për Tahirin dhe lidhja e tij me Habilajt

Zbardhet vendimi i plotë për Tahirin dhe lidhja e tij me Habilajt

Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi më 4 shkurt me 3 vjet e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për shpërdorim detyre. Gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, me ndryshim, moszbatimin e shërbimit të provës.

Ndërkohë, A2 CNN ka arritur të sigurojë vendimin e plotë të zbardhur të Gjykatës me 280 faqe arsyetim.

Ndër të tjerë, Gjykata shprehet se pavarësisht mohimit të njohjes me Moisi Habilajn, në provat e analizuara rezulton e kundërta për Saimir Tahirin. Aty përmendet skafi i ish-ministrit, por edhe dhuratat që atij dhe bashkëshortes së tij iu dërguan nga Habilajt.

Pjesë nga vendimi i zbardhur i gjykatës”

Në deklarimin e tij, i pandehuri ka mohuar njohjen me të pandehurin në procedim të lidhur Moisi Habilaj, ndërkohë që nga provat e analizuara rezulton e kundërta dhe për më tepër në mënyrë të përsëritur dhe e shtrirë në kohë. Rezulton se i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj është angazhuar drejtpërdrejt vetë në dërgimin e mjetit lundrues në përdorim të të pandehurit Saimir Tahiri, atëherë ministër i Brendshëm, duke përdorur emrin dhe kredencialet e tij para kapitenerisë Vlorë, duke udhëtuar në Itali vajtje dhe ardhje vetëm për këtë qëllim, duke u kujdesur edhe në Brindisi, në kantierin e riparimit për mjetin, duke paguar shpenzimet e tri netëve qëndrim në hotelin në Brindisi, edhe për mekanikët e porositur prej zotëruesit të mjetit për t’u kujdesur për riparimin dhe duke u kthyer nga Italia me shpenzimet e tij.
Po ashtu, Gjykata risjell në vëmendje se bashkëshortja e Tahirit dhe vetë ai në disa raste të udhëtimit jashtë shtetit kanë pranuar shërbimet e Artan Habilaj, vëllai i të pandehurit në procedimet penale të lidhura dhe për ta cilat rezulton e provuar se ka dijeni që prej vitit 2013 mbi aktivitetin e grupit të strukturuar kriminal. Ai ka ofruar dy herë shërbimet, automjetin, kohën dhe shpenzimet e tij në vitin 2014 kundrejt familjes dhe vetë të pandehurit Tahiri, duke u kujdesur njëlloj sikurse i vëllai i tij Moisi Habilaj, edhe ai për riparimin e mjetit lundrues “Auras”. Gjithashtu rezulton se i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj ka blerë në dhjetorin e vitit 2013 bizhuteri të çmuara për t’ia bërë dhuratë personave të afërt të të pandehurit, fakt që pavarësisht që nuk provohet se janë pranuar, tregon se ai ndjente një detyrim apo mirënjohje jo të zakonshme dhe tej shpjegimeve të lidhjes së largët familjare që ato objektivisht kanë”, pjesë nga zbardhja e vendimit.
Aktualisht, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit./ A2 CNN