Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krim të Organizuar (GJKKO), ka publikuar arsyetimin lidhur me dënimin me dy vite burg për ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla.
Sipas deklaratës, Llalla është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Bazë të kësaj gjykata ka dhënë dënimin dy vjet burg për ish-kryeprokurorin. Sipas Gjykatës, dënimi do të bëhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përveç dënimit me burg, vendosi që Llallës t’i hiqet për pesë vite e drejta për të ushtruar funksione publike, ndërsa pasuria e tij kaloi në favor të shtetit. Bëhet fjalë për 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Ish-kryeprokurori ka kohë brenda 15 ditëve që të bëjë ankimimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.