Aktualitet Zbardhet vrasja e Besnik Hidës në vitin 2019, policia: Autorët Laert Haxhiu,...

Zbardhet vrasja e Besnik Hidës në vitin 2019, policia: Autorët Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Ardian Ahmetaj

Policia e Shtetit ka zbardhur vrasjen Besnik Hidës në vitin 2019 në qytetin e Lushnjes kur u ekzekutua me kallashnikov.

Pas ekzaminimit të provave, policia thotë se ka identifikuar 3 autorët, të cilët janë aktualisht të arrestuar. Ata janë Laert Haxhiu 31 vjeç, Orgest Bilbili 33 vjeç dhe Ardian Ahmetaj 49 vjeç.

Laert Haxhiu është aktualisht i arrestuar në Greqi. Haxhiu u arrestua në Janinë në Maj të këtij viti. Pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

Orgest Bilbili aktualisht ndodhet në burgun e Drenovës në Korçë. Ky shtetas është dënuar me burgim të përjetshëm, në lidhje me një ngjarje të gjykuar më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ardian Ahmetaj aktualisht ndodhet në burg, në Greqi, pasi është arrestuar në vitin 2020. Ky shtetas është dënuar në vitin 2021, me 11 vjet burgim, nga Gjykata e Athinës, për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese, sipas Kodit Penal të shtetit grek.

Ndaj 3 të dyshuarve, gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg.

Besnik Hida u vra në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” në Lushnje. Ai është daja i Zamir Latifit, i vrarë në Tetor të 2017 në qendër të Lushnjës. Për këtë të fundit janë dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.