Stig Engstrom, një specialist grafike, ishte personi që qëlloi për vdekje kryeministrin e Suedisë, Olof Palme në vitin 1986. Kështu deklaroi të mërkurën prokurori suedez Krister Peterson, i cili e shpalli të mbyllur çështjen që për dekada ka përndjekur Suedinë.
“Ky person është Stig Engstrom. Për shkak se ai ka vdekur, unë nuk mund të ngre akuzë ndaj tij dhe e kam vendosur ta mbyll hetimin”, deklaroi prokurori Peterson.
Kryeministri Palme u qëllua për vdekje në qendër të Stokholmit në vitin 1986, pasi kishte qenë në kinema me bashkëshorten dhe të birin, i pashoqëruar nga truproja.
Vrasja e tij shkaktoi një kërkim të gjatë për autorin, si dhe një seri teorish konspirative që përfshinin CIA-n, separatistët kurdë dhe shërbimet sekrete të Afrikës së Jugut.
E ndërsa një kriminel i rangut të ulët u dënua për vrasjen e Palme, vendimi u rrëzua më vonë dhe dështimi i policisë për të identifikuar fajtorin e vërtetë lanë shenjë në mendjet e njerëzve të shtetit nordik, që ende mburret për sigurinë që ekziston në rrugët e tij.
Palme ishte kryeministër mes viteve 1969–1976 dhe 1982-1986. Disa e konsiderojnë atë si arkitektin e Suedisë moderne, ndërsa konservatorët kanë urryer pikëpamjet e tij anti-koloniale dhe qëndrimin kritik ndaj Shteteve të Bashkuara.