Është zbardhur vrasja e 33-vjeçarit, Ramazan Mataj e ndodhur në Dragoç të Postribës në Shkodër.
Për ngjarjen janë arrestuar 4 persona, njëri dyshohet të jetë autori kryesor dhe të tjerët bashkëpunëtorë.
Në pranga janë vënë 3 pjesëtarë të një familje me mbiemër Hasaj në Shkodër, të cilët ishin fqinj me viktimën. Fillimisht janë arrestuar babë e bir dhe më pas edhe djali tjetër i familjes Hasaj.
Autori i dyshuar kryesor është kapur në një nga pikat kufitare në tentativë për t’u larguar nga vendi.
Ndërkohë që një person tjetër është shoqëruar në polici pasi ka dyshime se ka pasur dijeni për krimin.
Policia dyshon se motivi i vrasjes së Ramazan Matajt kanë qenë konfliktet personale mes autorëve dhe viktimës.
Sipas informacioneve paraprake, aparati telefonik i Ramzan Matajt ka ndihmuar Policinë e Shkodrës për të arritur në zbardhjen e kësaj ngjarje.
Dyshohet se autori ka qenë i fshehur buzë rrugës dhe aty ka qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj mjetit Mercedes me të cilin po udhëtonte Ramazan Mataj. Ka qenë një banor i zonës, ai i cili më pas ka konstatuar viktimën dhe ka lajmëruar Policinë.
Mësohet se gjurmët e autorit të vrasjes janë ndjekur nga grupi hetimor përmes një qeni të Policisë, i cili i ka çuar deri në një farë distance. Zona ku ka ndodhur atentati nuk është e mbuluar me kamera sigurie, pasi vrasja ka ndodhur në një rrugë dytësore, në të cilën nuk gjenden banesa dhe as biznese.
Ramazan Mataj nuk kishte precedentë penalë në vendin tonë. Ai ka jetuar më parë në Belgjikë nga ku është kthyer para një viti.