Aktualitet Zbardhet vrasja në Durrës, 3 fëmijët kundër babait: Djali shkrepi armën, jo...

Zbardhet vrasja në Durrës, 3 fëmijët kundër babait: Djali shkrepi armën, jo 19-vjeçarja. Në dijeni dhe nëna

Tre fëmijët e familjes Meta, dy djemtë dhe vajza, janë bërë bashkë kundër babait të tyre, Pëllumb Meta dhe pas një plani të mirëorganizuar e kanë qëlluar me armë brenda banesës së tyre. Më pas e kanë varrosur në oborrin e shtëpisë.

Fillimisht 19-vjeçarja Hygerta Meta dëshmoi para efektivëve të policisë ishte ajo që kishte kryer aktin e rëndë, mirëpo pas hetimeve të bëra nga uniformat blu ka rezultuar se ai që ka shkrepur armën ka qenë djali i shtëpisë, Hysen Meta 24 vjeç, i arrestuar.

Në dijeni të këtij plani ka qenë edhe djali i vogël, Amarildo Meta 22 vjeç cili ka bashkëpunuar me vëllanë dhe motrën në vrasjen e të atit, si edhe nëna, bashkëshortja e viktimës, e cila është vënë në hetim.

Njësoj si 19-vjeçarja, edhe vëllezërit kanë dëshmuar se shkak kanë qenë konfliktet e vazhdueshme në shtëpi që arritën kulmin me fejesën pa dëshirë të të resë. Policia konfirmoi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një konflikt të çastit, por një plan të menduar nga fëmijët e tij.

“Nga hetimet konkluduam se më 22 shkurt nuk kishim të bënim me zhdukjen e një personi, por me krim në familje. U gjet trupi i viktimës i varrosur në ambientet e brendshme të banesës së viktimës. Ekspertiza konkludoi vrasjen e tij me armë zjarri. Nga të gjithë provat e siguruara u gjendën provat dhe arrestuam Hysen Metën, Hygerta Metën, të dy fëmijë të viktimës që kanë qenë bashkëautorë në këtë krim. Amarildo Meta 22 vjeç është arrestuar i cili me veprimet e tij ka ndihmuar në këtë krim”, njofton policia e Durrësit në një konferencë për shtyp.

Si ndodhi vrasja?

Në një deklaratë për shtyp, Policia sqaroi se vrasja ka ndodhur në një prej dhomave të banesës dhe më pas trupi është transportuar dhe varrosur në një kasolle, brenda oborrit të shtëpisë.

Në banesë është gjetur edhe një predhë e armës së zjarrit me të cilën është kryer krimi si edhe pjesë kallashnikovi. Pas vrasjes, autorët kishin zhdukur armën model 54. Ajo u gjet në një zonë moçalore në vendin e quajtur Vaskat. Ndërkohë, është sekuestruar municioni luftarak si dhe rrobat e përdorur në krim.

Si arriti policia që të binte në gjurmën e autorit?

Në 10 shkurt të këtij viti, djali, 24-vjeari Hysen Meta kishte shkuar në Polici për të denoncuar zhdukjen e të atit. Policia ka nisur hetimet dhe nga marrjet në pyetje të familjarëve, u arrit në përfundimin se nuk ishte një zhdukje, por me vrasje në familje. Ajo që çoi efektivët drejt autorëve ishte makina që përdorte Pëllumb Meta, e cila u gjet në Shënavlash sektori 1. Kjo shërbeu për të ngritur mjaftueshëm dyshime mbi autorët e mundshëm dhe në 22 shkurt, pra një ditë më parë u mësua se Pëllumb Meta ishte vrarë nga fëmijët e tij.