Pas më shumë se dy vitesh nga masakra e trefishtë në Bradashesh të Elbasanit, policia ka identifikuar një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes. Ai është 35-vjeçari Mikael Qosja, i shpallur tashmë në kërkim ndërkombëtar për akuzat e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Qosja akuzohet se më 29 dhjetor të 2018-s, vrau me armë zjarri Endrit Alibej 34 vjeç, Arben Dylgjeri 56 vjeç (nip dhe dajë), si dhe turkun Erdal Durunay 51 vjeç.
Në atentatin në fjalë dyshohet se morën pjesë të paktën 3 persona. Viktimat kishin vetëm pak ditë që ishin kthyer në Shqipëri për festat e fundvitit, kur u qëlluan me breshëri automatiku teksa udhëtonin me makinë. Objektiv i këtij atentati dyshohet se ishte 34-vjeçari Alibej.
Shkak për ngjarjen dyshohet se ishin përplasjet e grupeve kriminale në trafikun e drogave të rënda në Holandë dhe Angli. Në këto vende grupet rivale, të cilat origjinën e kanë në Elbasan, kanë patur konflikte të shpeshta dhe përplasje mes tyre.
Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se “në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje”.