Mes pemishteve dhe arave me misër apo grurë mund të shihen mbetje me vlerë të një bazilike, e cila u ndërtua nga perandori Justinian dhe gruaja e tij, perandoresha Teodora, në periudhën 535-545 të erës së re.
Kjo bazilikë është pjesë e Parkut Arkeologjik Ulpiana, i cili gjendet në territorin e komunës së Graçanicës – rreth 12 kilometra nga Prishtina.
Ulpiana, përndryshe, ishte një nga qytetet më të rëndësishme romake në Ballkan – pjesë e provincës romake të Dardanisë.
Rëndësia historike e këtij qyteti buron nga roli i tij si qendër e administrimit, tregtisë dhe kulturës romake në rajon.
Ai përmban mbetje të ndërtesave të ndryshme romake dhe bizantine, përfshirë tempuj, bazilika, banja dhe mure të qytetit, të njohur edhe si “Justiniana Secunda”.
Bazuar në informacionet që kanë, arkeologët besojnë se perandori Justinian e rindërtoi qytetin e Ulpianës pas një tërmeti shkatërrues dhe përmbytjeje në vitin 518.
Pikërisht mbi mbetjet e qytetit të Ulpianës, një ekip arkeologësh ndërkombëtarë dhe vendas ka tre vjet që punon në gërmimin e një bazilike të periudhës së hershme të krishterë.
Ekipi udhëhiqet nga profesori Christophe Goddard nga Universiteti “Ecole Normale Superieure” në Paris dhe profesori Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës.
Mozaiku i katit të parë në këtë lokacion u gjet në gusht të vitit 2023 dhe përmban edhe një kushtim të perandorit Justinian.
Dorëshkrimi i tij u mundësoi arkeologëve të përcaktonin saktësisht se kur u ndërtuan bazilika dhe qyteti.
“Ajo datë e saktë është midis vitit 535 dhe 545, sepse kushtimi përmend disa detaje që na mundësojnë ta ngushtojmë kronologjinë, jo vetëm për ndërtimin e kësaj bazilike, por edhe kur bëhet fjalë për themelimin e këtij qyteti të ri”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori Goddard.
Këto detaje të reja janë rezultat i punës shtatëvjeçare në lokacionin arkeologjik të Ulpianës.
Kërkimet e para në këtë hapësirë filluan në vitet 1950.
Profesori Goddard thotë se mozaiku i dyshemesë është origjinal, me një kushtim autentik, dhe se përmban shumë detaje të tjera.
“Rreth mbishkrimit ka kryesisht forma gjeometrike, ndërsa pjesa tjetër [e mozaikut] është plot me zogj dhe shatërvanë – gjë që është vërtet magjepsëse. Pra, këto janë karakteristikat që i zbuluam këtë vit. Prisnim t’i gjenim, sepse motive të ngjashme u gjetën edhe në kisha të tjera të asaj periudhe. Por, ky mozaik është mjaft spektakolar”, thotë ai.
Ekipi i ekspertëve përdor pajisje moderne, me të cilat, përpara gërmimit, mund të përcaktojë saktësisht se ku ndodhen muret.
“Sistemi që ne përdorim, është shumë efikas. Dërgon një sinjal elektrik në tokë, dhe nëse ka mur, rryma elektrike nuk mund të kalojë nëpër mur, kështu që na del një pikë e zezë. Meqë është i lidhur me GPS dhe me një kompjuter, na del edhe një hartë e plotë e vendndodhjes. Pra, e kemi një hartë të plotë të këtij qyteti të ri”, shpjegon profesori nga Franca.
Projektin e gërmimit në lokacionin e ri brenda parkut arkeologjik e financon Bashkimi Evropian.
Pas përfundimit të projektit, siç u paralajmërua më herët, të gjitha pajisjet arkeologjike do t’u transferohen institucioneve të Kosovës dhe do t’u shërbejnë arkeologëve kosovarë.
Në projekt, përveç Institutit të Arkeologjisë të Francës “Ecole Normale Superieure”, janë përfshirë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Rezultatet e këtyre hulumtimeve arkeologjike do të prezantohen nga një ekip ekspertësh më 3 tetor në Prishtinë, si dhe në një kongres në Sofje të Bullgarisë më 14 tetor.
Deri në fund të vitit është planifikuar të bëhen gërmimet e të gjithë bazilikës, si dhe në një tjetër shtëpi që ndodhet pranë saj.
“Edhe ajo shtëpi është e madhe – 40 metra me 40 metra. Është katrore, me një oborr qendror, të cilin kemi mundur ta shohim në mënyrë perfekte me sondat tona, duke përdorur gjeofizikën. Pra, i kemi zgjeruar gërmimet për të arritur deri në fund të objektit, në mënyrë që t’i shihnim absidat”, thotë Goddard.
Ai shton se ky lloj i absidave është i njohur në arkitekturën bizantine dhe se një e tillë ekziston në lokalitetin arkeologjik Cariçin, që gjendet në Leskovc të Serbisë.
Besohet se perandori Justinian e ndërtoi edhe atë qytet, i njohur si “Justiniana Prima”.
Në gërmime janë përfshirë edhe studentë të arkeologjisë nga Kosova, e mes tyre edhe njëzetekatërvjeçarja Drilona Berisha nga Gjilani.
Puna në gërmimin e mbetjeve me vlerë në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës është një përvojë e madhe për të.
“Përdoret teknologji e avancuar. Profesorët janë të specializuar në fusha të ndryshme [të arkeologjisë]”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shton se si fëmijë i ka pëlqyer të mblidhte sende të vjetra dhe se nuk ka menduar shumë kur i ka ardhur koha të regjistrohej në fakultet.
Megjithatë, studimet master, me shumë gjasa, do t’i vazhdojë në ndonjë shtet evropian, sepse në Kosovë nuk ka të tilla.
Profesori Goddard nga Franca thotë se gërmimet e mëtejshme duhet të vazhdojnë nga shtatori i këtij viti, nëse kushtet atmosferike lejojnë.
“Kjo është vetëm faza e parë e asaj që kemi synuar të bëjmë këtë vit. Nëse kemi qasje në tokën, e cila sapo është blerë nga Qeveria e Kosovës, do të mund të hapim dy të tretat e lokacionit”, thotë ai.
Qeveria e Kosovës ka përfunduar procesin e shpronësimit të tokës në Graçanicë, për të vazhduar gërmimet.
Më 17 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizitoi gërmimet arkeologjike.
Ai tha se lokacioni i Ulpianës dëshmon të kaluarën e pasur antike të Kosovës dhe shtoi se paraqet një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit./Sandra Cvetkoviq, Arben Hoti, REL