Shkencëtarët kanë rritur bimët në dheun e marrë nga Hëna për herë të parë, një hap i rëndësishëm për të bërë të mundur qëndrimin afatgjatë në Hënë, raporton BBC.
Studiuesit përdorën mostra të vogla pluhuri të mbledhura gjatë misioneve Apollo 1969-1972 për të rritur një lloj bime.
Për habinë e tyre, farat mbinë pas dy ditësh.
“Nuk mund t’ju them se sa të habitur ishim”, tha Anna-Lisa Paul, një profesoreshë e Universitetit të Floridës, e cila ishte bashkautore e studimit.
Bimët, qoftë ato të mbjella në një mostër hënore apo ato të mbjella në kushte normale tokësore, dukeshin të njëjta deri rreth ditës së gjashtë.
Pas kësaj, u shfaqën dallime. Bimët e rritura në dheun e Hënës nisën të zhvillohen më ngadalë dhe përfunduan të vyshkura.
“Ky studim është i rëndësishëm për qëllimet afatgjata të eksplorimit të NASA-s, pasi ne do të duhet të përdorim burimet e gjetura në Hënë dhe Mars për të zhvilluar burime ushqimore për astronautët e ardhshëm që jetojnë dhe veprojnë në hapësirën”, tha shefi i NASA-s, Bill Nelson.
Nasa ka në plan të dërgojë njerëz në Hënë për herë të parë që nga viti 1972 në një mision të planifikuar në vitin 2025.