Kohë pas kohe, dalin të dhëna të reja mbi aktin e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912. Ndodh kjo rastësisht, apo gjatë kërkimeve në prag të çdo përvjetori. Së fundi, ka dalë në dritë një detaj, pak, a më saktë aspak i njohur deri më sot, ai i hoxhës që thuhet se realizoi lutjen e aktit të Pavarësisë, duke qenë krah Ismail Qemalit.
Është fjala për hoxhën e Kaninës, Muhamed Luzaj, i ati i Isuf Luzajt. Ky i fundit është një nga figurat më të mëdha të mendimit shqiptar të shekullit të 20-të, por shumë pak i njohur. Ish-eksponent i Ballit Kombëtar, një ndër intelektualët shqiptarë të dalë nga auditoret e Sorbonës, Isuf Luzaj ishte ndër njerëzit më influentë e aktiv në zhvillimet politike gjatë luftës. Po ai zgjodhi ta lërë Shqipërinë pas ardhjes në pushtet të komunistëve, duke zgjedhur largimin drejt SHBA ku kaloi pjesën e dytë të jetës deri sa u shua në ato anë. Ka lënë pas rreth 150 vepra, gati të panjohura, ku për herë të parë është botuar diç prej tij në mesin e viteve ’90-të në revistën Përpjekja të treshes Lubonja-Rama-Klosi.
Gazetarja e njohur Dossier-it Admirina Peçi, e cila po përgatit një dokumentar mbi figurën e Isuf Luzajt, zbuloi dhe faktin se i ati i tij paskësh qenë hoxha i Pavarësisë. Sipas rrëfimeve të të birit, familja e tij ishte me një traditë klerikale në zonë, por vetë Isufi nuk e ndoqi rrugëtimin drejt një hoxhe, pasi e morri rrjedha e kohës dhe iu qas një tjetër arsimimi.
Të kuptohemi, krah Ismail Qemalit ka qenë dhe Vehbi Dibra, ndër klerikët e mendimtarët më të njohur të kohës gjithashtu, por me status politik si firmëtar i Pavarësisë, ndërsa sipas asaj çfarë na vjen nga Isuf Luzaj, i ati ka qenë më status klerikal.
Në një vepër dorëshkrim për Luftën e Vlorës së 1920, Isuf luzaj do të shkruante disa vargje për të atin, që mund të përkthehen dhe si një lloj biografie për të dhe për rolin e tij në aktin e Pavarësisë.
“Që më vitin 1901 deri më 1912, Hoxha ish mësonjës i Filozofisë në Medresenë e Lartë të Stambollit dhe në Universitetin e Drejtësisë i quajtur “Hukuk”. Me urdhërin e Ismail Qemalit, la Stambollin dhe arriti në Vlorë, ku më 28 nëntor 1912, bëri lutjen e Shpalljes së Indipendencës Kombëtare. (edhe në xhami, edhe në kishë)
La pallat e la Stambollë/ La nderime e salltanete/ Fluturoi erdhi në Vlorë/ Për të katër vilajetet/ Për atë dhëndër që hajdhurija/ Ëndërr e gjithë jetës së tija.
Krahë për krahë me Ismailin/ Në xhami këndoi duanë/ Në kishë këndoi ungjillin/ Ashtu si Kristoforidhi/ Përktheu shqip uratën/ Si llatinisht dhe greqisht
Si unaza ngjit për gisht/ Fjalë për fjalë përpikmërisht/ Këndoi lutjet me radhë/ Bëjën be ata që e pane/ Një zë një dashuri kish / Të dy fetë një qëllim kanë/ Njerëzimit qutetërimin/ Diturinë dhe përparimin/ Paqen, dashurinë e mbarë
Myslimanë e të krishterë/ E donin Hoxhën si veten/ Kur bin halli në derë
Shpejt e gjenin të vërtetën/ Tek babë Hoxha në Kaninë/ Që e besonin si shenjtërinë/ Përpiqnin kokën të shkretën…”/ Isuf LUZAJ – Dorëshkrim
/tesheshi.com/