Uji nga planeti Mars u zhduk rreth 3 miliard vjet më parë. Ky është zbulimi i fundit nga Sonda Cuirosity që ndodhet në sipërfaqen e planetit të kuq që prej vitit 2012, me qëllimi eksplorimin e tij.
Kjo sondë jo pa arsye është pozicionuar në kraterin Gale, që sipas studimeve dhe kërkimeve rezulton se një herë mund të ketë qenë i mbuluar nga uji.
Deri më sot mendohej se uji nga planeti Mars u zhduk menjëherë. Ndërkohë që sipas studimit të fundit që bazohet tek vëzhgimi në terren, u deshën miliona vjet, me periudha të alternuara që uji të zhdukej përfundimisht, duke e lënë Marsin të thatë e të vrazhdë siç e njohim sot.
Në revistën Geology, ku është publikuar studimi, thuhet se përgjatë periudhës gjeologjike të quajtur Esperian, mes 3.7-3 miliard vjet më parë, dhe pas një periudhe ekstremisht të lagësht, planeti i kuq u karakterizua nga alternimi i epokave të thata e të atyre të lagështa, që u përmbyll me avullimin e plotë 3 miliard vjetëve më parë.
Shkencëtarët kanë arritur në këto konkluzione duke analizuar mineralet e gjetura. Zbulimi vjen menjëherë pas arritjes tjetër të fluturimit të parë të dronit Ingenuity, në atmosferën e hollë të Marsit.