“Informacioni bënte të qartë se persona të caktuar do të përpiqeshin që të shfrytëzonin mitingun e lajmëruar ngas opozita për në datën 8 qershor, ku përveç akteve të tjera edhe djegien e Kuvendit të Shqipërisë”.
Kështu deklaroi presidenti Ilir Meta përpara Komisionit Parlamentar me 9 shtator.
Një kronikë e televizionit Top Channel, ka dhënë disa detaje rreth këtij informacioni sekret të cilit i referohet Presidenti Meta.
Bëhet fjalë për një informacion të përmbledhur në pak rreshta nga ku SHISH informon, se agjentët e infiltruar brenda strukturave organizative të protestave të opozitës, kanë mundur të sigurojnë informacionin se në protestën e 8 Qershorit, do të përfshihej një grup paramilitar i ardhur nga Kosova apo trevat e tjera etnike shqiptare. Ky grup në përbërje të tij kishte njerëz me formim ushtarak, me misionin final, djegien e Kuvendit të Shqipërisë.
Dokumenti sekret nuk jep të dhëna se kush ishin këta persona, kush i kishte paguar apo financuar mbi të gjitha nëse ishin të armatosur dhe me çfarë mjetesh do të mund të çanin rrethimin policor të Kuvendit.
Dokumenti thuhet se nuk i jep përgjigje pyetjeve të tilla. Ndërkohë që në një skenar të ngjashëm 21 vite më parë, më 14 shtator të vitit 1998, u fol se persona të armatosur të krahut të FARK kishin marrë pjesë në sulmin kundër institucioneve dhe marrjes me dhunë të Kryeministrisë.
Këtë informacion SHISH e ka ndarë edhe me agjencitë homologe partnere mes tyre edhe ato të SHBA. Ky informacion dhe rrjedha që kishin marrë protestat e opozitës, detyroi ish-zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, të deklaronte në një intervistë të paprecedentë për TCH se nëse do të kishte dhunë në protestën e asaj dite të opozitës përgjegjës direkt do të ishin Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Përmbajtja e dokumentit sekret do të analizohet nga Komisioni Hetimor Parlamentar dhe në raportin final që do t’i dërgohet Kuvendit, do të marrë përgjigje pyetja: A ishte i mjaftueshëm ky informacion për ta detyruar presidentin Ilir Meta të zhdekretonte dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit?/Top Channel