Dy sera me kanabis janë zbuluar në Velipojë të Shkodrës gjatë aksionit policor të koduar “Njësia”. Serat janë zbuluar përmes dronëve dhe kontrollit të territorit.
Në fshatin Luarza u gjetën 1900 fidanë kanabisi në kubikë, pjesa më e madhe e tyre e mbuluar me plastmas.
Ndërsa sera e dytë u gjet në fshatin Reç i vjetër në anë të lumit Buna, ku u konstatuan 250 fidanë kanabis të kultivuar në kubikë.
Në total, në të dy rastet u shkatërruan 2150 fidanë kanabisi.
Në vijim të operacionit policor, policia arrestoi në flagrancë shtetasin F. B. 55 vjeç, si dhe shpalli në kërkim shtetasin Xh. B., 37 vjeç. Të dy janë autorë të dyshuar të kultivimit të fidanëve narkotikë kanabis.
Operacioni vijon për kapjen e shtetasit Xh. B., identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.