Kolumbia ka sjellë imazhe të rrënojave të anijes legjendare “San Jose”, e mbytur tre shekuj më parë dhe që besohet se mban një pasuri me vlerë miliarda dollarë.
Katër misione vëzhgimi të ushtrisë, duke përdorur një mjet të drejtuar nga distanca u dërguan nën rrënojat prej pothuajse 950 metrash në thellësi, jashtë bregut të Karaibeve.
Këto misione, të kryera nga marina nën mbikëqyrjen e ministrisë së Kulturës, e gjetën galionin të paprekur nga “ndërhyrja njerëzore”. Topat e mbuluara pjesërisht nga balta janë të dukshme krahas enëve prej porcelani, qeramikës, shisheve të qelqit dhe arit.
Presidenti kolumbian Ivan Duque tha se kishin zbuluar edhe dy anije të tjera gjatë misionit vëzhgues, një të epokës koloniale dhe një nga periudha post-koloniale.
“Falë pajisjeve teknologjike dhe punës së marinës kolumbiane, ne arritëm të kapim imazhe me një nivel preciziteti që nuk është parë kurrë më pare. Rrënojat janë ruajtur të paprekura dhe janë mbrojtur me synimin drejt një rikthimi në të ardhmen”, tha ai.
Anija “San Jose” ishte në pronësi të kurorës spanjolle kur u fundos nga marina britanike pranë brigjeve të Kartagjenës në 1708. Vetëm një pjesë e vogël e ekuipazhit prej 600 personash mbijetoi. Anija po kthehej nga Bota e Re në oborrin e mbretit Filip V të Spanjës. Para zbulimit të saj në vitin 2015, ajo ishte e kërkuar prej kohësh nga gjuetarët e thesarit. Ekspertët besojnë se përmban të paktën 200 tonë ar, argjend dhe smerald.
Rikuperimi i rrënojave paraqet një sfidë teknologjike dhe shkencore për shkak të thellësisë së saj. Kur kjo të ndodhë, Kolumbia do të përballet me një sfidë nga Spanja dhe një grup indigjen në Bolivi për të përcaktuar se kujt i takon thesari.