Një 46-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Shkodër për kultivim kanabisi dhe armëmbajtje pa leje.
Blutë kanë asgjësuar rreth 390 bimë kanabisi në fshatin Xhan, të cilat u gjetën të mbjella brenda dy banesave të braktisura. Është sekuestruar dhe një kallashnikov e municion luftarak.
“Vijon me intensitet megaoperacioni “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni nga Komisariati i Policisë Shkodër, i zhvilluar në territorin e fshatit Xhan, të njësisë administrative Pult, gjatë të cilit u godit një tjetër rast i kultivimit dhe prodhimit të kanabisit dhe i armëmbajtjes pa leje. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dhe vunë në pranga një 46-vjeçar, që dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike dhe mbante pa leje armë zjarri e municion luftarak.
Asgjësohen rreth 390 bimë kanabis, shumica në proces tharjeje. Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Xhan, të njësisë administrative Pult, kanë konstatuar të mbjella në tokë 54 bimë të dyshuara kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në dy banesa të braktisura, u gjetën rreth 336 bimë të dyshuara narkotike kanabis në proces tharjeje, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies. Po gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. F., 46 vjeç, banues në fshatin Bleran, i dyshuar si autor i kultivimit të bimëve kanabis dhe posedues i armës së zjarrit dhe municionit luftarak që u gjetën në dy banesat e braktisura që i kishte në përdorim ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thotë Policia.