Epidemia e koronavirusit në Shqipëri është vetëm në fillimet e saj. Përjashtim nuk bën as Tirana edhe pse është vatra më e madhe e infeksionit të Covid-19.
Në këtë përfundim ka dalë studimi i mjekëve Genc Sulçebe dhe Alban Ylli. Pas testimeve serologjike të kryera në grupe të caktuara në popullatën e kryeqytetit rezultoi se vetëm 6-7% e tyre e kanë kaluar koronavirusin. Epidemiologu Alban Ylli thotë se jemi larg imunitetit kolektiv dhe me pozitivitet më të ulët krahasuar me vendet e tjera.
Virusi do të vijojë përhapjen gjatë verës dhe në shifra më të shtuara se aktualisht. Epidemiologu Alban Ylli propozon frenimin e hapjes së mëtejshme, vendosjen e masave drastike deri dhe në shtyrjen e vitit të ri shkollor, në varësi të ecurisë së sëmundjes.
Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik është kritik ndaj qytetarëve në lidhje me mosrespektimin e masave. Ai kërkon ndërgjegjësimin e popullatës për t’u përshtatur me këtë normalitete të ri që nuk dihet sa do të zgjasë deri në daljen e vaksinës.
Zonat më të prekura nga koronavirusi në Tiranë
Nga testimi i kryer në popullatën e Tiranës u vunë re diferenca të përhapjes së virusit edhe brenda zonave.
Lagjja pranë Poliklinikës 9 në rrugën e Kavajës, zona e “Pazarit te Ri” dhe ajo pranë rrugës “Siri Kodra” rezultuan me numrin më të lartë të personave pozitive nga Covid-19.
Ndërsa zona pranë sheshit “Willson”, lagjja poshtë Liqenit Artificial dhe Lapraka kishin numër më të ulët të infektuarish.
Burimi: A2