Policia e Tiranës ka arritur të zbulojë bazën e kodimit që merrej me ‘blindimin’ e celularëve për komunikime të pa gjurmueshme.
Telefona të tillë punojnë të koduar me internet pa karta SIM. Baza e gjetur në Tiranë është në rruga “Mahmut Fortuzi” dhe është zbuluar pas 4 muaj hetimesh.
Si rezultat i operacionit, është sekuestruar serveri i kodimit që gjendej brenda një prej serviseve të Tiranës që e ofronin këtë shërbim në këmbim të shumave monetare.
Në hetim është një teknik 35-vjeçar, banues në Tiranë, me origjinë nga Saranda.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht shtetasin D. R., 35 vjeç, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Shitja e paautorizuar e kartave sim”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 8 aparate celulare të ndryshëm, për të cilat nuk dispononte faturë tatimore, të dyshuar kontrabandë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.