Aktualitet Zbulohet celula terroriste në Itali, 4 shqiptarë të arrestuar financonin Genci Ballën...

Zbulohet celula terroriste në Itali, 4 shqiptarë të arrestuar financonin Genci Ballën në Shqipëri

Katër shqiptarë janë arrestuar në Itali gjatë një aksioni të policisë italiane për të goditur terrorizmin.

Sipas mediave italiane, mbi 4 shqiptarët rëndon akuza e terrorizmit ndërkombëtar. Autoritetet zbuluan celulën terroriste, që sipas hetuesve, konsiderohet tepër e rrezikshme. Aksioni për arrestimin e tyre u krye në provincat e Barit dhe Cuneos.

Autoritetet italiane kanë bërë të ditura identitetet e shqiptarëve. Ata janë Yljan Muça 31 vjeç, Roland Lleshi 37 vjeç, Elsio Ramku 33 vjeç dhe Roland Belba 37 vjeç.

Të gjithë jetojnë në Itali prej 10 vitesh dhe punonin në bujqësi. Ndërsa 33-vjeçari Ramku, pasi kishte kaluar një konkurs publik, u punësua në Bashkinë e Barit në sektorin e teknikës.

Nga hetimet ka rezultuar se të 4 shqiptarët e arrestuar mblidhnin dhe dërgonin para në Shqipëri për të financuar aktivitetin terrorist të Genci Ballës në një xhami në Tiranë, i cili tashmë është i arrestuar dhe i dënuar me 17 vite burg dhe ndodhet në qeli në regjimin 41bis. Genci Balla u akuzua dhe dënua se kishte rekrutuar luftëtarë dhe i kishte dërguar në Siri.

Akuzat ndaj 4 shqiptarëve kanë të bëjnë me periudhën kur Genci Balla ushtronte këtë aktivitetet kriminal.

Nga pala italiane është provuar se Roland Lleshi dhe Elsio Ramku luanin rolin e ndërmjetësit për dërgimin e parave nga Puglia në Shqipëri, ndërsa Roland Belba ishte përgjegjës për transferimin e tyre.

Paratë dërgoheshin fizikisht nga vetë këta persona të cilët udhëtonin me kamion ose traget. Ndërsa kartëmonedhat i fshihnin brenda një çante.

Gjatë viteve të fundit, bëheshin deri në 2 udhëtime çdo muaj nga Italia në Shqipëri për të sjellë paratë për Genci Ballën.

Në telefonin e njërit prej 4 të arrestuarve, në aplikacionin e mesazheve Telegram, u gjetën dokumente me përmbajtje xhihadiste, audio propagandiste të ISIS të përkthyera nga arabishtja në shqip.