Dalin detaje të reja nga hetimet për Martina Pajollarin. Mediat raportojnë se ishte dëshmia e Bleti Angjos, një prej 3 personave të ndaluar më herët që e çoi atë në pranga.
Angjo u ka thënë prokurorëve se natën e vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço në Qershor të këtij viti, e pranishme ishte edhe 18-vjeçarja.
Disa muaj pas ngjarjes së rëndë, Angjo i cili bashkëpunoi me hetuesit duke treguar dinamikën e ngjarjes dhe implikoi Valter dhe Edlir Mollajn si ekzekutorë, ka ndryshuar dëshminë e tij. Ai tha se në makinën ku ata kishin marrë Martin Çeçon për ta çuar te rezervuari i Kolanecit, ishte e pranishme edhe Martina.
Pas këtyre të dhënave, Prokuroria ka marrë sërish dëshminë e 18-vjeçares. Në këtë dëshmi e reja ka treguar rrethana të tjera. Ato që përputheshin sipas hetuesve plotësisht me dëshminë e Bleti Angjos.
Me dy dëshmitë e reja, grupi hetimor është rikthyer në vendin e ngjarjes. Bashkë me ta ka qenë edhe Martina Pajollari. Ajo ka treguar për rrethanat e vrasjes. Megjithatë një qëndrim tjetër mbajti në gjykatë. Ajo pretendoi se ndaj saj ishte ushtruar presion nga punonjësit e policisë.
Prokuroria thotë se ngjarja ka pasur motiv xhelozinë e Valter Mollajt ndaj të riut Martin Çeço. Dyshime të tjera ngrihen për këtë ngjarje. Familjarët e 18-vjeçares thonë se Facebookun me të cilin pretendohet se kontaktonte me Çeçon, e kishte në përdorim ish-dhëndri familjes.