Aktualitet Zbulohet gjeni që dyfishon rrezikun për t’u sëmurur rëndë nga COVID-19

Zbulohet gjeni që dyfishon rrezikun për t’u sëmurur rëndë nga COVID-19

Shkencëtarët polakë kanë identifikuar një gjen, i cili dyfishon rrezikun për t’u prekur nga një formë e rëndë e Covid-19. Hezitimi për t’u vaksinuar, i cili po shihet si një nga shkaqet kryesore të niveleve të larta të vdekjeve nga koronavirusi në Europën Qendrore dhe Lindore, sipas studiuesve polakë mund të zvogëlohet nëse identifikohen ata që janë më shumë të rrezikuar nga virusi. Individi i rrezikuar mund të vihet në dijeni dhe të inkurajohet për vaksinim apo t’i jepet akses në opsione më intensive trajtimi në rast të një infeksioni.

“Pas më shumë se një viti e gjysmë pune ishte e mundur të identifikohej një gjen përgjegjës për një predispozicion për t’u sëmurur rëndë (me koronavirus)”, citohet nga Reuters ministri polak i Shëndetësisë, Adam Niedzielski.

“Kjo do të thotë që në të ardhmen do të arrijmë të identifikojmë njerëzit me predispozicion për të vuajtur forma të rënda të COVID-it”.

Studiuesit në Universitetin Mjekësor të Bialystok zbuluan se gjeni ishte faktori i katërt më i rëndësishëm (mosha, pesha dhe gjinia janë tre të parët) që përcakton se në çfarë shkalle do ta vuajë një individ i caktuar sëmundjen.

Gjeni është i pranishëm në rreth 14% të popullsisë polake, krahasuar me 8-9% në Europë në tërësi dhe 27% në Indi, tha Marcin Moniuszko, përgjegjës i projektit. Studime të tjera kanë treguar edhe rëndësinë e faktorëve gjenetikë në atë se sa seriozisht zhvillohet COVID-19.