48 orë përpara se të skadojë afati parlamentar për dorëzimin e kandidatëve për president që do të votohen në raundin e parë, mazhoranca e kryesuar nga kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, është riulur në tryezë në takime të veçanta me përfaqësuesit e dy nga tre grupet parlamentare opozitare, konkretisht me Fatmir Mediun dhe Shpëtim Idrizin.
Ndërkohë që sot ka qarkulluar emri i parë i një kandidateje të mundshme për presidente. Anëtarja e KLP, Nurihan Seiti (Metaj) është emri që është diskutuar sot si një kandidate e mundshme në bisedat e zhvilluara mes shumicës dhe pakicës.
Kush është Nurihan Seiti
Nurihan Seiti është anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e zgjedhur si përfaqësuese e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Është diplomuar për Drejtësi pranë Universitetit të Tiranës, dhe ka edhe titullin Master, DND. Ka ushtruar funksionin si Prokuror, nga viti 1987 deri më 1999.
Pozicioni si Juriste e ka ushtruar pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Tiranë. Mandati i saj është 5 vjeçar, i vlefshëm nga Dhjetori 2018, deri në dhjetor 2023.
Balla, i kënaqur nga negociatat
Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se kishte mbetur i kënaqur nga negociatat e ditës së premte me grupet parlamentare, sa i përket zgjedhjes së kandidaturave për postin e Presidentit të Republikës.
“Afati i fundit i raundit të dytë është 23 maji. Janë disa biseda shumë të frytshme. Sot të paktën me dy-tre grupe arritëm të vendosim piketat e një procesi që do të na çojë drejt një presidenti konsensual”, tha Balla.
Ai shtoi se të hënën nuk do të shkohet në seancë me një emër të propozuar vetëm nga partia e tij. “Do të vrisnim procesin. Kemi rënë dakord të ulemi përsëri në ditët në vijim, madje në orët në vijim, që të ulemi për emrin”, tha Balla.