39 trupat e pajetë që u gjetën në një kamion në Essex të Britanisë së Madhe një ditë më parë janë të kombësisë kineze.
Lajmi bëhet i ditur nga transmetuesi britanik “BBC”, sipas të cilit policia vazhdon të marrë në pyetje shoferin e kamionit, 25-vjeçarit Mo Robinson, i cili u arrestua nën akuzën për vrasje.
Zyrtarët e policisë në Irlandën e Veriut kanë bastisur 2 shtëpi dhe Agjencia Kombëtare kundër Krimit po punon për të identifikuar personat e përfshirë në grupet e krimit të organizuar që mund të kenë pasur rol në këtë tragjedi.
Hetuesit besojnë se kamioni ishte nisur nga Bullgaria. Më pas ka shkuar në Belgjikë dhe prej andej ka mbërritur në portin e Purfleet, Essex.