Lezhë | Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e krimeve ekonomike e financiare, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, nga specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, nisi procedimi penal për goditjen e veprimtarinë së paligjshme të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimeve kompjuterike, nga disa persona.
Pas një hetimi proaktiv 3-mujor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, nga ana e DVP Lezhë, mbështetur nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës Operacionale në DPPSH, DVP Tiranë dhe Elbasan, u organizua dhe u finalizua operacioni policor “Identiteti” në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Pertef Musabelli, 61 vjeç, banues në Tiranë, Henri Haxhiraj, 34 vjeç, banues në Tiranë, Arjan Refugjati, 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Erigesji Moriga, 21 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim policor dhe punohet për kapjen e shtetasve: Artur Terziu, 52 vjeç, banues në Elbasan dhe Ilir Mata, 41 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë operacionit është zbuluar një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara, dhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur, duke përfituar shumë të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Mashtrimi kompjuterik”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.