Policia e Durrësit ka zbuluar një bazë armatimesh që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, me armë zjarri dhe me municion luftarak. Dy ditë më parë, Policia e Durrësit zbuloi një tjetër bazë kriminale, nga e cila u sekuestruan 4 kallashnikovë, 20 krehra dhe një sasi e madhe fishekësh.
Si rezultat i operacioni, në Sukth, u zbulua një bazë, ku mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës që dyshohet se shërbente si bazë, shtetasi A. S..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.